Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 3:18-27 Bibla Shqip (ALBB)

18. Në rast se unë i them të pabesit: "Me siguri ke për të vdekur", dhe ti nuk e njofton dhe nuk flet për ta lajmëruar të pabesin që të braktisë rrugën e tij të keqe për të shpëtuar jetën e tij, ai i pabesë do të vdesë në paudhësinë e tij, por unë do të kërkoj llogari prej teje për gjakun e tij.

19. Por në qoftë se ti e lajmëron të pabesin dhe ai nuk heq dorë nga pabesia e tij dhe nga jeta e tij e keqe, ai do të vdesë në paudhësinë e tij, por ti do ta kesh shpëtuar shpirtin tënd.

20. Por në qoftë se më pas një njeri i drejtë heq dorë nga ndershmëria e tij dhe kryen paudhësi, unë do t'i vë një pengesë përpara dhe ai do të vdesë; sepse ti nuk e ke lajmëruar dhe ai do të vdesë në mëkatin e tij, dhe gjërat e drejta që ai ka bërë, nuk do të kujtohen më, por unë do t'i kërkoj llogari dorës sate për gjakun e tij.

21. Por në rast se ti njofton të drejtin që të mos mëkatojë dhe ai nuk mëkaton, ai me siguri do të jetojë sepse u paralajmërua, dhe ti do të kesh shpëtuar shpirtin tënd".

22. Atje, pra, ishte dora e Zotit mbi mua dhe më tha: "Ngrihu, dil në fushë dhe atje unë do të flas".

23. Kështu u çova dhe dola në fushë, dhe atje ishte lavdia e Zotit, ashtu si lavdia që kisha parë pranë lumit Kebar, dhe unë rashë mbi fytyrë.

24. Por Fryma hyri te unë, më bëri të çohem më këmbë dhe më foli duke thënë: "Shko, mbyllu në shtëpinë tënde.

25. Dhe ja, o bir njeriu, ty do të vihet litarë, me ato do të lidhin dhe kështu nuk do të kesh mundësi të dalësh në mes tyre.

26. Unë do të bëj që gjuha jote të ngjitet në qiellzën tënde dhe do të mbetesh memec, kështu nuk do të jesh më për ta dikush që i qorton, sepse janë një shtëpi rebele.

27. Por kur do të të flas, do të të hapë gojën dhe ti do t'u thuash atyre: "Kështu thotë Zoti, Zoti". Ai që do të dëgjojë le të dëgjojë; dhe ai që refuzon të dëgjojë, le të refuzojë, sepse janë një shtëpi rebele".

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 3