Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 28:13-26 Bibla Shqip (ALBB)

13. Ishe në Eden, në kopshtin e Perëndisë; ishte mbuluar me llojlloj gurësh të çmuar: rubinë, topaze, diamante, krisolite, onikse, diaspra, safirë, karbonkë, smeralde dhe ar; punimi i dajreve të tua dhe i flauteve të tua u përgatit për ty ditën që ti u krijove.

14. Ti ishe një kerubin i vajosur, një mbrojtës. Unë të kisha vënë në malin e shenjtë të Perëndisë dhe ti ecje në mes gurësh zjarri.

15. Ti ishe i përsosur në rrugët e tua qysh nga dita që u krijove, derisa nuk u zbulua te ti çoroditja.

16. Nga shkaku i bollëkut të tregtisë sate, u mbushe me dhunë dhe mëkatove; prandaj të kam përzënë si një profan nga mali i Perëndisë dhe të kam shkatërruar, o kerubin mbrojtës në mes gurësh zjarri.

17. Zemra jote ishte ngritur për bukurinë tënde; ke korruptuar diturinë tënde për shkak të shkëlqimit tënd. Unë po të hedh për tokë, po të vë përpara mbretërve, me qëllim që të të shohin.

18. Në morinë e paudhësive të tua, me ligësinë e tregtisë sate ke përdhosur shenjtëroret e tua. Prandaj nxora nga mesi yt një zjarr që të ka gllabëruar, dhe të kam katandisur në hi mbi tokë përpara syve të atyre që të shikonin.

19. Tërë ata që të njihnin ndër popujt mbeten të habitur prej teje; je bërë objekt tmerri dhe nuk do të ekzistosh kurrë më".

20. Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:

21. "Bir njeriu, kthe fytyrën drejt Sidonit dhe profetizo kundër tij,

22. dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Sidon, dhe do të përlëvdohem në mes teje. Do të pranojnë që unë jam Zoti, kur do të zbatoj në mes të tij gjykimet e mia dhe do të shenjtërohem tek ai.

23. Do të dërgoj mbi të murtajën dhe gjak në rrugët e tij; në mes të tij do të bien të vrarët nga shpata, dërguar nga çdo anë kundër saj. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti.

24. Dhe nuk do të ketë më për shtëpinë e Izraelit asnjë gjemb apo ferrë midis gjithë fqinjëve të tij që e përçmojnë. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti, Zoti".

25. Kështu thotë Zoti, Zoti: "Kur të kem grumbulluar ata të shtëpisë së Izraelit nga mesi i popujve ndër të cilët janë shpërndarë dhe të shenjtërohem tek ata në sytë e kombeve, ata do të banojnë në vendin e tyre, që i dhashë shërbëtorit Jakob.

26. Do të banojnë të sigurt, do të ndërtojnë shtëpi dhe do të mbjellin vreshta; po, do të banojnë të sigurt, kur do të zbatoj gjykimet e mia mbi të gjithë ata që i përçmojnë. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre".

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 28