Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 28:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Fjala e Zotit mu drejtua, duke thënë:

2. "Bir njeriu, i thuaj princit të Tiros: Kështu thotë Zoti, Zoti: Duke qenë se zemra jote është ngritur dhe ke thënë: "Unë jam një perëndi; unë ulem mbi një fron perëndish në zemrën e deteve", ndërsa je një njeri dhe jo një perëndi, ndonëse e ke bërë zemrën tënde si zemrën e Perëndisë.

3. Ja, ti je më i urtë se Danieli, asnjë sekret nuk mbetet i fshehur për ty.

4. Me diturinë tënde dhe zgjuarsinë tënde ke grumbulluar pasuri dhe ke mbledhur ar dhe argjend në thesaret e tua;

5. me diturinë tënde të madhe, me tregtinë tënde ke rritur pasuritë e tua, dhe për shkak të pasurive të tua zemra jote është ngritur".

6. Për këtë arsye kështu thotë Zoti, Zoti: "Me qenë se e ke bërë zemrën tënde si zemrën e Perëndisë,

7. prandaj ja, unë do të sjell kundër teje kombet më të tmerrshme; këta do të zhveshin shpatat e tyre kundër shkëlqimit të diturisë sate dhe do të ndotin bukurinë tënde.

8. Do të të zbresin në gropë dhe ti do të vdesësh nga vdekja e atyre që janë shpuar në zemër të deteve.

9. A do të vazhdosh të thuash: "Unë jam një perëndi", përpara atij që do të të vrasë? Por do të jesh një njeri dhe jo një zot në duart e atij që do të të shpojë.

10. Ti do të vdesësh nga vdekja e të parrethprerëve, nga dora e huaj, sepse unë fola", thotë Zoti, Zoti.

11. Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:

12. "Bir njeriu ngri një vajtim për mbretin e Tiros dhe i thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ti ishe vula e përsosmërisë, tërë dituri dhe i përsosur nga bukuria.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 28