Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 26:7-15 Bibla Shqip (ALBB)

7. Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë sjell nga veriu kundër Tiros Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, mbretin e mbretërve, me kuaj, me qerre, me kalorës dhe një shumicë të madhe njerëzish.

8. Ai do të vrasë me shpatë bijat e tua që janë në fshat, do të ngrejë kundër teje kulla, do të ndërtojë kundër teje një ledh dhe do të ngrejë kundër teje një çati mburojash.

9. Do të drejtojë kundër mureve të tua deshtë e tij dhe do të rrëzojë kullat e tua me kazmat e tij.

10. Për shkak të morisë së kuajve të tij do të mbulohesh nga pluhuri i tyre; muret e tua do të dridhen nga zhurma e kalorësve, të rrotave dhe të qerreve, kur të hyjë nëpër portat e tua, ashtu siç hyhet në një qytet nëpër të cilin është hapur një e çarë.

11. Me këmbët e kuajve të tij do të shkelë tërë rrugët e tua, do të vrasë popullin tënd me shpatë dhe shtyllat e tua të fuqishme do të rrëzohen.

12. Do të grabitin pasuritë e tua, do të plaçkitin mallrat e tua, do të rrëzojnë muret e tua, do të shkatërrojnë shtëpitë e tua të bukura, do të hedhin në mes të ujit gurët e tua, drurin tënd dhe tokën tënde.

13. Do të bëj të pushojë zhurma e këngëve të tua dhe zëri i harpave të tua nuk do të dëgjohet më.

14. Do të të bëj si një shkëmb të zhveshur; do të jesh një vend për të nderur rrjetat; nuk do të rindërtohesh më, sepse unë, Zoti, fola, thotë Zoti, Zoti".

15. Kështu i thotë Zoti, Zoti, Tiros: "Në zhurmën e rënies sate, në rënkimin e të plagosurve për vdekje, në kërdinë që do të bëhet në mes teje, a nuk do të dridhen vallë ishujt?

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 26