Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 22:12-29 Bibla Shqip (ALBB)

12. Te ti pranohen dhurata për të derdhur gjak; ti kërkon kamatë të lartë, ti ke realizuar fitime nga i afërti dhe më ke harruar mua", thotë Zoti, Zoti.

13. "Por ja, unë rrah duart për fitimin e pandershëm që ke nxjerrë dhe për gjakun e derdhur që është në mes teje.

14. A do të mund të qëndrojë zemra jote ose a do të mund të qëndrojnë të forta duart e tua në ditët kur unë do të veproj kundër teje? Unë, Zoti, fola dhe do ta kryej.

15. Unë do të të shpërndaj midis kombeve, do të të shkapërdaj midis vendeve dhe do të eliminoj papastërtinë tënde prej teje.

16. Ti do të përdhosësh vetveten në sytë e kombeve dhe do të pranosh që unë jam Zoti".

17. Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:

18. "Bir njeriu, shtëpia e Izraelit është bërë për mua tërë skorie: janë të gjithë bronz, kallaj, hekur dhe plumb në mes të një furre; janë bërë skorie argjendi".

19. Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se të gjithë ju jeni bërë skorie të shumta, ja, unë do t'ju mbledh në mes të Jeruzalemit.

20. Ashtu si mblidhet argjendi, bronzi, hekuri, plumbi dhe kallaji në mes të furrës dhe mbi ta i fryjnë zjarrit për t'i shkrirë, kështu në zemërimin tim dhe në tërbimin tim do t'ju mbledh, do t'ju fus atje dhe do t'ju shkrij.

21. Do t'ju mbledh dhe do të fryj mbi ju me zjarrin e zemërimit tim dhe ju do të shkriheni në mes të tij.

22. Ashtu si shkrihet argjendi në mes të furrës, kështu dhe ju do të shkriheni në mes të qytetit; dhe do të pranoni që unë, Zoti, kam derdhur mbi ju tërbimin tim".

23. Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë:

24. "Bir njeriu, i thuaj Jeruzalemit: Ti je një tokë që nuk është pastruar ose lagur nga shiu në një ditë indinjate.

25. Komploti i profetëve të tij në mes të tij është si një luan që ulërin dhe shqyen gjahun, ata i gllabërojnë njerëzit, përvetësojnë thesaret dhe gjërat e çmueshme, shtojnë të vejat në mes të tij.

26. Priftërinjtë e tij shkelin ligjin tim dhe përdhosin gjërat e mia të shenjta, nuk bëjnë dallim midis asaj që është e shenjtë dhe jo e shenjtë, nuk e bëjnë të njohur ndryshimin ndërmjet të papastrës dhe të pastrës dhe i largojnë sytë nga të shtunat e mia, prandaj jam përdhosur në mes tyre.

27. Krerët e tij në mes të tij janë si ujqër që shqyejnë gjahun për të derdhur gjak, për të shkatërruar shpirtra, për të realizuar një fitim jo të drejtë.

28. Profetët e tij suvatojnë për ata me llaç që nuk mban, duke pasur vegime të rreme dhe duke shqiptuar shortari të gënjeshtërta për ta, dhe thonë: "Kështu thotë Zoti, Zoti", ndërsa Zoti nuk ka folur.

29. Populli i vendit ushtron shtypjen, kryen grabitje, keqtrajton të varfrin dhe nevojtarin, shtyp të huajin duke marrë nëpër këmbë drejtësinë.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 22