Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 21:21-34 Bibla Shqip (ALBB)

21. Shpatë, ji e pamëshirshme; kthehu më të djathtë, kthehu në të majtë, kudo ku drejtohet tehu yt.

22. Edhe unë do të rrah duart dhe do të shfryj tërbimin tim. Unë, Zoti, kam folur".

23. Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë:

24. "Ti, bir njeriu, shëno dy rrugë nëpër të cilat të kalojë shpata e mbretit të Babilonisë; do të nisen që të dyja nga i njëjti vend. Vër një tregues rrugor, vëre në krye të rrugës që të çon në qytet.

25. Shëno një rrugë nëpër të cilën shpata të shkojë në Rabah, qytet i bijve të Amonit, dhe një tjetër për në Judë, kundër Jeruzalemit, qytet i fortifikuar.

26. Në fakt mbreti i Babilonisë qëndron në kryqëzimin e rrugës, në krye të dy rrugëve, për të bërë shortari: ai tund shigjetat, konsulton idhujt shtëpiakë, shqyrton mëlçinë.

27. Në të djathtë të tij përgjigja e shortarisë tregon Jeruzalemin për të vendosur deshtë, për të hapur gojën dhe për të urdhëruar masakrën, për të ngritur zërin me klithma lufte, për t'i vendosur deshtë kundër portave, për të ngritur ledhe dhe për të ndërtuar kulla.

28. Por për ta kjo do të jetë si një shortari e rremë në sytë e atyre që u janë betuar. Por ai do të kujtohet për paudhësitë e tyre, me qëllim që t'i kapin".

29. Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se keni bërë të kujtohet paudhësia juaj, duke qenë se shkeljet tuaja dolën sheshit dhe mëkatet tuaja u zbuluan në të gjitha veprimet tuaja; duke qenë se ju kanë kujtuar, do të kapeni nga dora e armikut.

30. Dhe ti, o princ i korruptuar dhe i keq i Izraelit, dita e të cilit erdhi në kohën e ndëshkimit përfundimtar",

31. kështu thotë Zoti, Zoti: "Hiqe çallmën, hiqe kurorën; gjërat nuk do të jenë po ato: ajo që është poshtë do të ngrihet dhe ajo që është lart do të ulet.

32. Shkretim, shkretim, shkretim, unë do ta kryej. Dhe ajo nuk do të restaurohet më, derisa të vijë ai të cilit i përket gjykimi dhe të cilit do t'ia jap.

33. Dhe ti, bir njeriu, profetizo dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti, lidhur me bijtë e Amonit dhe lidhur me turpin e tyre dhe thuaj: Shpata, shpata është zhveshur, është lustruar për masakrën, që të hajë, që të vetëtijë,

34. ndërsa kanë për ty vegime të rreme dhe të bëjnë ty shortari të rreme, që të të vënë mbi qafën e njerëzve të këqij të vrarë, dita e të cilëve ka arritur kohën e ndëshkimit përfundimtar.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 21