Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 20:31-42 Bibla Shqip (ALBB)

31. Në fakt kur ofroni dhuratat tuaja dhe kaloni nëpër zjarr bijtë tuaj, ju e ndotni veten deri ditën e sotme me të gjithë idhujt tuaj. Prandaj nuk do të lejoj të konsultohem nga ju, o shtëpi e Izraelit. Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "unë nuk do të lejoj të konsultohem nga ju.

32. Dhe nuk do të ndodhë aspak ajo që ju shkon ndër mend, kur thoni: "Ne jemi si kombet, si familjet e vendeve të tjera, që i ngrenë kult drurit dhe gurit"".

33. "Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "unë do të mbretëroj mbi ju me dorë të fortë, me krahun e shtrirë dhe me një tërbim të shfrenuar.

34. Do t'ju nxjerr nga mesi i popujve dhe do t'ju mbledh nga vendet në të cilët jeni shpërndarë me dorë të fortë, me krahë të shtrirë dhe me tërbim të shfrenuar,

35. dhe do t'ju çoj në shkretëtirën e popujve, dhe atje do të zbatoj gjykimin tim mbi ju, ballë për ballë.

36. Ashtu siç e zbatova gjykimin tim mbi etërit tuaj në shkretëtirën e vendit të Egjiptit, kështu do ta zbatoj gjykimin tim mbi ju", thotë Zoti, Zoti.

37. "Do të bëj që të kaloni nën shufër dhe do t'ju kthej në detyrimet e besëlidhjes.

38. Do të ndaj nga ju rebelët dhe ata që janë të pabesë ndaj meje; do t'i nxjerr nga vendi ku banojnë, por nuk do të hyjnë në vendin e Izraelit; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti.

39. Ju, pra, shtëpia e Izraelit", kështu flet Zoti, Zoti: "Shkoni, u shërbeni secili idhujve tuaj; por pastaj do të më dëgjoni dhe nuk do të përdhosni më emrin tim të shenjtë me dhuratat tuaja dhe me idhujt tuaj.

40. Sepse mbi malin tim të shenjtë, mbi malin e lartë të Izraelit", thotë Zoti, Zoti, "atje tërë shtëpia e Izraelit, të gjithë ata që do të jenë në vend, do të më shërbejnë; atje do të kënaqem me ta, do të kërkoj ofertat tuaja dhe dhuratat tuaja prodhimet e hershme së bashku më të gjitha sendet tuaja të shenjtëruara.

41. Unë do të kënaqem me ju si me një parfum me erë shumë të këndshme, kur do t'ju nxjerr nga mesi i popujve dhe t'ju mbledh nga vendet ku keni qenë shpërndarë; dhe do të shenjtërohem tek ju para syve të kombeve.

42. Ju do të pranoni që unë jam Zoti, kur do t'ju çoj në tokën e Izraelit, në vendin për të cilin kisha ngritur dorën dhe isha betuar t'ia jepja etërve tuaj.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 20