Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 20:18-35 Bibla Shqip (ALBB)

18. Pastaj u thashë bijve të tyre në shkretëtirë: "Mos ecni sipas statuteve të etërve tuaj, mos respektoni dekretet e tyre dhe mos u ndotni me idhujt e tyre.

19. Unë jam Zoti, Perëndia juaj; ecni sipas statuteve të mia, respektoni dekretet e mia dhe i vini në praktikë,

20. shenjtëroni të shtunat e mia dhe ato le të jenë një shenjë midis meje dhe jush, në mënyrë që ju të pranoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj".

21. Por bijtë u rebeluan kundër meje; nuk ecën sipas statuteve të mia, nuk respektuan dekretet e mia për t'i vënë në jetë, duke i respektuar të cilat njeriu do të jetojë për to; përdhosën të shtunat e mia, dhe kështu vendosa të derdh mbi ta tërbimin tim dhe të shfryj mbi ta zemërimin tim në shkretëtirë.

22. Megjithatë unë e tërhoqa dorën dhe veprova për hir të emrit tim, me qëllim që ai të mos përdhosej përpara kombeve, në sytë e të cilëve i kisha nxjerrë nga Egjipti.

23. Por ngrita dorën në shkretëtirë, duke u betuar që do t'i shpërndaja midis kombeve dhe do t'i hallakatja nëpër tërë vendet,

24. Sepse nuk vinin në jetë dekretet e mia, por i hidhnin poshtë statutet e mia, përdhosnin të shtunat e mia dhe sytë e tyre ishin drejtuar te idhujt e etërve të tyre.

25. Prandaj u dhashë statute jo të mira dhe dekrete me të cilat nuk mund të jetonin;

26. dhe i molepsa me vetë dhuratat e tyre, me qenë se ata kalonin nëpër zjarr çdo të parëlindur të tyre, për t'i katandisur në shkretim të plotë me qëllim që të pranonin që unë jam Zoti.

27. Prandaj bir njeriu, foli shtëpisë së Izraelit dhe i thuaj: Kështu thotë Zoti, Zotit. Etërit tuaj më kanë fyer edhe në këtë rast, duke u sjellë pabesisht me mua:

28. mbasi i futa në vendin për të cilin kisha ngritur dorën dhe isha betuar, ata i kthyen sytë në çdo kodër të lartë dhe në çdo dru gjetheshumë dhe atje ofruan flijimet e tyre dhe paraqitën ofertat e tyre provokuese; atje vunë parfumet e tyre me erë të këndshme dhe atje derdhën libacionet e tyre.

29. Atëherë u thashë atyre: Ç'është vendi i lartë në të cilin shkoni? Kështu vazhdojnë ta quajnë "vendi i lartë" deri ditën e sotme.

30. Prandaj i thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: A doni të ndoteni duke ndjekur rrugën e etërve tuaj dhe të kurvëroheni me idhujt e tyre të urrejtshëm?

31. Në fakt kur ofroni dhuratat tuaja dhe kaloni nëpër zjarr bijtë tuaj, ju e ndotni veten deri ditën e sotme me të gjithë idhujt tuaj. Prandaj nuk do të lejoj të konsultohem nga ju, o shtëpi e Izraelit. Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "unë nuk do të lejoj të konsultohem nga ju.

32. Dhe nuk do të ndodhë aspak ajo që ju shkon ndër mend, kur thoni: "Ne jemi si kombet, si familjet e vendeve të tjera, që i ngrenë kult drurit dhe gurit"".

33. "Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "unë do të mbretëroj mbi ju me dorë të fortë, me krahun e shtrirë dhe me një tërbim të shfrenuar.

34. Do t'ju nxjerr nga mesi i popujve dhe do t'ju mbledh nga vendet në të cilët jeni shpërndarë me dorë të fortë, me krahë të shtrirë dhe me tërbim të shfrenuar,

35. dhe do t'ju çoj në shkretëtirën e popujve, dhe atje do të zbatoj gjykimin tim mbi ju, ballë për ballë.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 20