Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 18:7-21 Bibla Shqip (ALBB)

7. në rast se nuk shtyp askënd, në qoftë se i kthen huamarrësit pengun e tij, në qoftë se nuk kryen asnjë grabitje, në rast se i jep bukën e tij të uriturit dhe mbulon me rroba atë që është lakuriq,

8. në rast se nuk jep hua me kamatë dhe nuk jep me fajde, në rast se heq dorë nga paudhësia, dhe gjykon me paanësi midis burrit dhe burrit,

9. në rast se ecën sipas statuteve të mia duke vepruar me besnikëri, ai është i drejtë dhe me siguri ka për të jetuar", thotë Zoti, Zoti.

10. Por në qoftë se i ka lindur një bir që përdor dhunë, që derdh gjak dhe i bën të vëllait ndonjë nga këto gjëra,

11. (ndërsa i ati nuk ka kryer asnjë nga këto gjëra), dhe ha në male dhe prek bashkëshorten e fqinjit të tij,

12. shtyp të varfrin dhe nevojtarin, kryen grabitje, nuk e kthen pengun, ngre sytë ndaj idhujve, kryen veprime të neveritshme,

13. jep me kamatë dhe me fajde, a do të jetojë vallë ai? Ai nuk do të jetojë. Duke qenë se ka kryer tërë këto veprime të neveritshme ai ka për të vdekur me siguri; gjaku i tij do të bjerë mbi të.

14. Por në rast se atij i lind një fëmijë që, duke parë tërë mëkatet e kryera nga i ati, i kupton, por nuk i kryen,

15. nuk ha në male, nuk i ngre sytë nga idhujt e shtëpisë së Izraelit, nuk prek gruan e fqinjit,

16. nuk shtyp njeri, nuk merr pengje, nuk kryen grabitje, por i jep bukën e tij të uriturit, vesh me rroba atë që është lakuriq,

17. e përmban dorën që të mos shtypë të varfrin, nuk merr as kamatë as fajde, respekton dekretet e mia dhe ecën në statutet e mia, ai nuk ka për të vdekur për shkak të paudhësisë së atit të tij; ai me siguri ka për të jetuar.

18. I ati, përkundrazi, duke qenë se ka shtypur dhe ka kryer grabitje në dëm të vëllait të tij dhe ka bërë atë që nuk është e mirë në mes të popullit të tij, ja, ai do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij.

19. Megjithatë ju thoni: "Pse biri nuk mbart paudhësinë e atit?". Duke qenë se djali zbaton barazinë dhe drejtësinë, respekton të gjitha statutet e mia dhe i vë në praktikë, ai me siguri ka për të jetuar.

20. Shpirti që mëkaton do të vdesë, i biri nuk do të mbartë paudhësinë e atit dhe ati nuk do të mbartë paudhësinë e birit; drejtësia e të drejtit do të jetë mbi të, pabesia e të pabesit do të bien mbi të.

21. Në rast se i pabesi largohet nga të gjitha mëkatet që kryente, në rast se respekton të gjitha statutet e mija dhe zbaton barazinë dhe drejtësinë, ai me siguri ka për të jetuar; nuk ka për të vdekur.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 18