Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 17:11-24 Bibla Shqip (ALBB)

11. Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë:

12. "I thuaj, pra, kësaj shtëpie rebele: Nuk e merrni vesh çfarë kuptimi kanë këto gjëra? U thuaj atyre: Ja mbreti i Babilonisë erdhi në Jeruzalem, zuri mbretin dhe krerët dhe i çoi me vete në Babiloni.

13. Pastaj mori një prej gjaku mbretëror, lidhi një besëlidhje me të dhe e vuri të betohet. Ai mori me vete edhe burrat e fuqishëm të vendit,

14. me qëllim që mbretëria të binte dhe jo të ngrihej, por, duke respektuar besëlidhjen e tij, të mund të ishte i qëndrueshëm.

15. Por ky u rebelua kundër tij duke dërguar ambasadorët e tij në Egjipt, me qëllim që t'i jepnin kuaj dhe shumë njerëz. A mund t'i shkojë mbarë, a mund të shpëtojë ai që ka bërë gjëra të tilla? A mund të shkelë besëlidhjen dhe megjithatë të shpëtojë?

16. Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "ai do të vdesë në vendin ku rri mbreti që e ka bërë mbret dhe betimin e të cilit ai ka përçmuar duke shkelur edhe besëlidhjen, afër tij, në mes të Babilonisë.

17. Faraoni nuk do t'i japë ndihmë me ushtrinë e tij të fuqishme dhe me aq njerëz në luftë, kur do të ngrenë ledhe dhe do të ndërtojnë kulla për të shfarosur shumë jetë njerëzore.

18. Ai ka përçmuar betimin duke shkelur besëlidhjen; megjithatë, ja, mbasi dha dorën, ka bërë tërë këto gjëra. Ai nuk do të shpëtojë".

19. Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj, betimin tim që ai ka përçmuar dhe besëlidhjen time që ai ka shkelur, do të bëj që të bien mbi kokën e tij.

20. Do të shtrij mbi të rrjetën time dhe do të kapet në lakun tim. Do ta çoj në Babiloni dhe aty do të ekzekutoj mbi të vendimin për tradhtinë e kryer kundër meje.

21. Tërë ikanakët bashkë me formacionet e tij do të bien nga shpata, ndërsa ata që do të shpëtojnë do të shpërndahen në drejtim të të gjitha erërave. Kështu do të pranoni që unë, Zoti, kam folur".

22. Kështu thotë Zoti, Zoti: "Do të marr një degëz nga maja e cedrit më të lartë dhe do ta mbjell; nga maja e degëve të tij të reja do të këpus një degëz të njomë dhe do ta mbjell mbi një mal të lartë dhe të ngritur.

23. Do ta mbjell mbi malin e lartë të Izraelit; do të lëshoj degë, do të bëj fryte dhe do të bëhet një cedër i mrekullueshëm. Nën të do të banojnë zogj të çdo lloji; ata do të banojnë nën hijen e degëve të tij.

24. Kështu tërë drurët e fushës do të mësojnë se unë, Zoti, kam ulur drurin e lartë dhe kam ngritur drurin e ulët, kam bërë të thahet druri i gjelbër dhe të mbijë druri i thatë. Unë Zoti, kam folur dhe do ta bëj".

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 17