Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 16:43-56 Bibla Shqip (ALBB)

43. Sepse ti nuk i ke kujtuar ditët e rinisë sate dhe më ke bërë të tërbohem me të gjitha këto gjëra, ja, edhe unë do të të bëj që të bien mbi kokën tënde veprimet e tua", thotë Zoti, Zoti, "kështu ti nuk do të kryesh poshtërsi të tjera përveç veprimeve të tua të neveritshme.

44. Kushdo që do të thotë proverba, do të thotë këtë proverb kundër teje: "Si nëna është edhe e bija".

45. Ti je me të vërtetë bija e nënës sate që ka mohuar bashkëshortin e saj dhe bijtë e vet, dhe je motër e motrave të tua që kanë mohuar burrat dhe bijtë e tyre. Nëna juaj ishte një hitease dhe ati juaj një amore.

46. Motra jote më e madhe është Samaria, që banon me gjithë bijat e saj në të majtën tënde; motra jote më e vogël është Sodoma, që banon me gjithë bijat e saj në të djathtën tënde.

47. Ti jo vetëm ke ecur në rrugët e tyre dhe ke kryer veprimet e tyre të neveritshme, por, sikur kjo të ishte fare pak, në të gjitha rrugët e tua je korruptuar më shumë se ato.

48. Siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "motra jote Sodoma dhe bijat e saj nuk kanë bërë atë që ke bërë ti bashkë me bijat e tua.

49. Ja, kjo qe paudhësia e motrës sate Sodoma: ajo dhe bijat e saj jetonin në kryelartësi, në bollëkun e bukës dhe në një plogështi të theksuar, por nuk përkrahnin dorën e të përvuajturit dhe të të varfrit.

50. Ishin fodulle dhe kryenin veprime të neveritshme para meje; prandaj i hoqa nga mesi, kur e pashë këtë.

51. Samaria nuk ka kryer as gjysmën e mëkateve të tua; ti i ke shumuar veprimet e tua të neveritshme më shumë se ato dhe ke justifikuar motrat e tua me të gjitha veprimet e neveritshme që ke kryer.

52. Ti, që ke gjykuar motrat e tua, mbaje turpin tënd, sepse me mëkatet që ke kryer je bërë më e neveritshme se ato; ato janë më të drejta se ti. Po, ki turp, dhe mbaje për vete turpin, sepse ke justifikuar motrat e tua.

53. Kur do t'i kthej robërit e tyre, robërit e Sodomës dhe bijat e saj, robërit e Samarias dhe vajzat e saj, atëherë do t'i kthej edhe robërit nga robërimi yt që janë në mes tyre,

54. me qëllim që ti të mbash turpin tënd dhe të turpërohesh për tërë ato që ke bërë, kur i ke dhënë zemër.

55. Kur motrat e tua, Sodoma dhe bijat e saj, do të kthehen në gjendjen e tyre të mëparshme, dhe Samaria dhe bijat e saj do të kthehen në gjendjen e tyre të mëparshme, edhe ti dhe bijat e tua do të ktheheni në gjendjen tuaj të mëparshme.

56. Motra jote Sodoma nuk ishte përmendur fare nga goja jote në ditët e kryelartësisë sate,

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 16