Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 10:9-20 Bibla Shqip (ALBB)

9. Shikova akoma dhe ja, në krah të kerubinëve kishte katër rrota, një rrotë përbri çdo kerubini dhe një rrotë tjetër për çdo kerubin tjetër; rrotat kishin pamjen e një guri të topazit.

10. Dukej sikur që të katra kishin po atë formë, sikur një rrotë të ishte në mes të tjetrës.

11. Kur lëviznin, shkonin nga një prej katër drejtimeve të tyre dhe, duke shkuar, nuk silleshin, por ndiqnin drejtimin që kishte marrë koka e tyre dhe, duke shkuar, nuk silleshin.

12. Tërë trupi i tyre, kurrizi i tyre, duart e tyre, krahët e tyre ishin plot me sy rreth e qark, po, edhe vetë rrotat që kishin të katër.

13. Unë dëgjova që rrotat quheshin "Turbina".

14. Çdo kerubin kishte katër fytyra; fytyra e parë ishte fytyra e kerubinit, fytyra e dytë ishte fytyra e njeriut, fytyra e tretë fytyra e luanit dhe fytyra e katërt ajo e shqiponjës.

15. Pastaj kerubinët u ngritën. Ata ishin po ato qenie të gjalla që kisha parë pranë lumit Kebar.

16. Kur kerubinët lëviznin, edhe rrotat lëviznin nga ana e tyre; dhe kur kerubinët hapnin fletët për t'u ngritur nga toka, rrotat nuk largoheshin nga krahu i tyre.

17. Kur ata ndaleshin, ndaleshin edhe ato; kur ata ngriheshin, ngriheshin edhe ato bashkë me ta, sepse fryma e qenieve të gjalla ishte ndër ta.

18. Lavdia e Zotit u largua pastaj nga pragu i tempullit dhe u ndal te kerubinët.

19. Pastaj kerubinët i hapën krahët e tyre dhe u ngritën nga toka para syve të mi; ndërsa po largoheshin edhe rrotat ishin pranë tyre. U ndalën pastaj te hyrja e portës që shikonte nga lindja e shtëpisë të Zotit, ndërsa lavdia e Perëndisë të Izraelit qëndronte lart mbi ta.

20. Ishin po ato qenie të gjalla që kisha parë nën Perëndinë e Izraelit pranë lumit Kebar dhe njoha që ishin kerubinë.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 10