Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ester 8:1-9 Bibla Shqip (ALBB)

1. Po atë ditë mbreti Asuero i dha mbretëreshës Ester shtëpinë e Hamanit, armikut të judenjve; dhe Mardokeu erdhi para mbretit, të cilit Esteri i kishte shpjeguar se ç'ishte ai për të.

2. Kështu mbreti hoqi unazën që i kishte rimarrë Hamanit dhe ia dhe Mardokeut. Pastaj Esteri e caktoi Mardokeun mbi shtëpinë e Hamanit.

3. Esteri foli akoma para mbretit, ra në këmbët e tij dhe iu lut me lot ndër sy që të pengonte komplotin e keq të Hamanit, agagitit, dhe planin që ai kishte menduar kundër judenjve.

4. Atëherë mbreti zgjati skeptrin prej ari në drejtim të Esterit; kështu Esteri u ngrit, mbeti në këmbë para mbretit

5. dhe tha: "Në se i duket mirë mbretit, në rast se kam gjetur hir në sytë e tij, në rast se çështja i duket gjithashtu e drejtë mbretit dhe në rast se gjej pëlqim nga sytë e tij, të shkruhet për të revokuar dokumentet e hartuara nga Hamani, bir i Hamedathas, agagitit, që ai shkroi për të shkatërruar judenjtë që janë në të gjitha krahinat e mbretit.

6. Si do të mund të rezistoja në fakt duke parë fatkeqësinë që do të godiste popullin tim? Ose si do të mund të rezistoja duke parë shkatërrimin e fisit tim?".

7. Atëherë mbreti Asuero i tha mbretëreshës Ester dhe judeut Mardoke: "Ja, unë i dhashë Esterit shtëpinë e Hamanit, dhe këtë e varën në trekëmbësh, sepse kishte dashur të shtrinte dorën e tij mbi judenjtë.

8. Ju vetë shkruani një dekret në favor të judenjve në emër të mbretit, si t'ju duket më mirë, dhe vuloseni me unazën mbretërore, sepse vendimi i shkruar në emër të mbretit dhe i vulosur me unazën mbretërore është i prerë".

9. Atëherë, më njëzet e tre të muajit të tretë, që është muaji i sivanit, u thirrën sekretarët e mbretit dhe sipas gjithë atyre që Mardokeu kishte urdhëruar, u dërguan shkrime judenjve, satrapëve, qeveritarëve dhe krerëve të njëqind e njëzet e shtatë krahinave, nga India deri në Etiopi, çdo krahine sipas shkrimit të saj, çdo populli sipas gjuhës së tij, dhe judenjve sipas shkrimit dhe gjuhës së tyre.

Lexoni kapitullin e plotë Ester 8