Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ester 4:3-11 Bibla Shqip (ALBB)

3. Në çdo krahinë, ku arritën urdhri i mbretit dhe dekreti i tij, pati një keqardhje të madhe për judenjtë, me agjërime, me të qara dhe vajtime; dhe shumë njerëz u mbuluan me një thes dhe me hi.

4. Vajzat e Esterit dhe eunukët e saj erdhën t'ia njoftojnë ngjarjen, dhe mbretëresha u angështua shumë; pastaj i dërgoi rroba Mardokeut, që t'i vishte dhe të hiqte nga trupi i tij thesin, por ai nuk i pranoi.

5. Atëherë Esteri thirri Hathakun, njërin nga eunukët e mbretit të caktuar prej tij t'i shërbenin asaj dhe e urdhëroi të shkonte te Mardokeu për të mësuar se çfarë gjë e brengoste dhe për ç'arsye.

6. Kështu Hathaku shkoi te Mardokeu në sheshin e qytetit, që ndodhej përballë portës së mbretit.

7. Mardokeu i tregoi tërë ato që i kishin ndodhur dhe përmendi gjithashtu shumën e parave që Hamani kishte premtuar të derdhte në thesarin mbretëror për të siguruar shkatërrimin e judenjve;

8. i dha gjithashtu një kopje të tekstit të dekretit që ishte shpallur në Suza për shfarosjen e tyre, me qëllim që t'ia tregonte Esterit, t'ia shpjegonte asaj dhe ta urdhëronte të shkonte te mbreti për ta lutur me të madhe dhe për të ndërhyrë pranë tij në favor të popullit të tij.

9. Kështu Hathaku u kthye tek Esteri dhe i njoftoi fjalët e Mardokeut.

10. Atëherë Esteri i foli Hathakut dhe e urdhëroi të shkonte e t'i thoshte Mardokeut:

11. "Tërë shërbëtorët e mbretit dhe populli i krahinave të tij e dinë që cilido burrë ose grua që hyn në oborrin e brendshëm për të shkuar te mbreti, pa qenë i thirrur, duhet të dënohet me vdekje, në bazë të një ligji të veçantë, veç po të jetë se mbreti shtrin ndaj tij skeptrin e tij prej ari; vetëm kështu ai do të shpëtojë jetën e tij. Dhe kaluan tanimë tridhjetë ditë që nuk jam thirrur për të shkuar te mbreti".

Lexoni kapitullin e plotë Ester 4