Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ester 2:5-15 Bibla Shqip (ALBB)

5. Në qytetin e Suzas ishte një jude i quajtur Mardoke, bir i Jairit, bir i Shimeit, bir i Kishit, një beniaminit ,

6. që e kishin internuar nga Jeruzalemi bashkë me mërgimtarët e sjellë në robëri me Jekoniahun, mbretin e Judës, nga Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë.

7. Ai e kishte rritur Hadasahun, domethënë Esterin, bijën e ungjit të tij, sepse ajo nuk kishte as baba as nënë. Vajza ishte e hijshme dhe kishte trup të bukur; pas vdekjes së atit dhe të nënës së saj, Mardokeu e mori si bijën e tij.

8. Kur urdhri i mbretit dhe dekreti i tij u përhapën, dhe shumë vajza u mblodhën në qytetin e Suzas nën mbikëqyrjen e Hegait, edhe Esterin e çuan në pallatin e mbretit nën mbikëqyrjen e Hegait, rojtarit të grave.

9. Vajza i pëlqeu dhe fitoi simpatinë e tij; kështu ai u shpejtua t'i japë melhemet për pastrimin dhe ushqimin e saj; i dha gjithashtu shtatë vajza të reja të zgjedhura në pallatin e mbretit dhe e zhvendosi bashkë me to në apartamentin më të mirë të shtëpisë së grave.

10. Esteri nuk kishte treguar asgjë as për popullin e saj as për vendin e prejardhjes së saj, sepse Mardokeu e kishte urdhëruar të mos tregonte.

11. Çdo ditë Mardokeu shëtiste përpara oborrit të shtëpisë së grave për të marrë vesh si ishte Esteri dhe ç'po bëhej me të.

12. Kur i vinte radha çdo vajzë të hynte te mbreti Asuero, mbasi kishte bërë dymbëdhjetë muaj përgatitjesh, sipas rregulloreve të grave, sepse kështu plotësoheshin ditët e pastrimit të tyre; gjashtë muaj për t'u lyer me vaj të mirrës dhe gjashtë muaj me aroma dhe melheme të grave për t'u pastruar,

13. vajza shkonte te mbreti; i lejohej të merrte me vete nga shtëpia e grave në pallatin e mbretit tërë ato që donte.

14. Atje ajo shkonte në mbrëmje dhe të nesërmen në mëngjes kalonte në shtëpinë e dytë të grave, nën mbikëqyrjen e Shaashgazit, eunukut të mbretit dhe rojtar i konkubinave. Ajo nuk kthehej më te mbreti, veçse po ta kërkonte mbreti dhe ta thërrisnin me emër.

15. Kur i erdhi radha për të shkuar te mbreti Esterit, bijës së Abihailit, ungji i Mardokeut, që e kishte marrë me vete si bijën e tij, ajo nuk kërkoi asgjë veç asaj që i tregoi Hegai, eunuku i mbretit, rojtari i grave. Dhe Esteri fitoi simpatinë e të gjithë atyre që e shihnin.

Lexoni kapitullin e plotë Ester 2