Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ester 2:1-8 Bibla Shqip (ALBB)

1. Mbas këtyre ngjarjeve, kur zemërimi i mbretit Asuero u qetësua, atij iu kujtua Vashti, atë që kishte bërë ajo dhe çfarë kishte vendosur lidhur me të.

2. Atëherë shërbëtorët e mbretit që ishin në shërbim të tij i thanë: "Të kërkohen për mbretin vajza të virgjëra dhe të hijshme;

3. mbreti le të caktojë në tërë krahinat e mbretërisë së tij komisarë, të cilët të mbledhin tërë vajzat e virgjëra të hijshme në qytetin e Suzas, në shtëpinë e grave nën mbikëqyrjen e Hegait, eunukut të mbretit dhe rojtar i grave, që do t'u japë atyre melhemet për t'u pastruar.

4. Vajza që do t'i pëlqejë mbretit të bëhet mbretëreshë në vend të Vashtit". Ky propozim u pëlqye nga mbreti dhe kështu u veprua.

5. Në qytetin e Suzas ishte një jude i quajtur Mardoke, bir i Jairit, bir i Shimeit, bir i Kishit, një beniaminit ,

6. që e kishin internuar nga Jeruzalemi bashkë me mërgimtarët e sjellë në robëri me Jekoniahun, mbretin e Judës, nga Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë.

7. Ai e kishte rritur Hadasahun, domethënë Esterin, bijën e ungjit të tij, sepse ajo nuk kishte as baba as nënë. Vajza ishte e hijshme dhe kishte trup të bukur; pas vdekjes së atit dhe të nënës së saj, Mardokeu e mori si bijën e tij.

8. Kur urdhri i mbretit dhe dekreti i tij u përhapën, dhe shumë vajza u mblodhën në qytetin e Suzas nën mbikëqyrjen e Hegait, edhe Esterin e çuan në pallatin e mbretit nën mbikëqyrjen e Hegait, rojtarit të grave.

Lexoni kapitullin e plotë Ester 2