Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ester 1:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Në kohën e Asueros, (ai Asueroja që mbretëronte nga India deri në Etiopi mbi njëqind e njëzet e shtatë krahina),

2. në atë kohë, kur mbreti Asuero rrinte në fronin e mbretërisë së tij që ishte në kështjellën e Suzas,

3. në vitin e tretë të mbretërimit të tij shtroi një banket për të gjithë princat dhe shërbëtorët e tij; komandantët e ushtrisë së Persisë dhe të Medisë, fisnikët dhe princat e krahinave u mblodhën para tij.

4. Atëherë ai tregoi pasuritë dhe lavdinë e mbretërisë së tij, madhështinë dhe epërsinë e saj për shumë ditë, njëqind e tetëdhjetë ditë.

5. Mbasi kaluan këto ditë, mbreti shtroi një banket tjetër prej shtatë ditësh, në oborrin e kopshtit të pallatit mbretëror, për tërë popullin që ndodhej në kështjellën e Suzas, nga më i madhi deri te më i vogli.

6. Kishte çadra të bardha dhe ngjyrë vjollce, që vareshin me kordonë të kuq flakë në unaza prej argjendi dhe në shtylla prej mermeri. Kishte divanë prej ari dhe prej argjendi mbi një dysheme prej mermeri të kuq dhe të bardhë, prej sedefi dhe alabastri.

7. Jepej për të pirë në enë ari, njëra e ndryshme nga tjetra, dhe kishte verë mbretërore me shumicë për hir të bujarisë së mbretit.

8. Në bazë të ligjit, askush nuk ishte i detyruar të pinte; në fakt mbreti kishte urdhëruar tërë funksionarët e shtëpisë së tij t'i shërbenin secilit atë që dëshironte.

9. Edhe mbretëresha Vashti shtroi një banket për gratë në pallatin e mbretit Asuero.

10. Ditën e shtatë, kur zemra e mbretit ishte e gëzuar për shkak të verës, ai urdhëroi Mehumanin, Bizthan, Harbonan, Bigthan, Abagthan, Zetharin dhe Karkasin, të shtatë eunukët që shërbenin në prani të mbretit Asuero,

11. të sillnin para mbretit mbretëreshën Vashti me kurorën mbretërore, për t'i treguar popullit dhe princave bukurinë e saj; në të vërtetë ajo kishte një pamje të hijshme.

12. Por mbretëresha Vashti nuk pranoi të vinte sipas urdhrit të mbretit që iu njoftua me anë të eunukëve; mbreti u pezmatua shumë dhe zemërimi i tij i ziente përbrenda.

13. Atëherë mbreti pyeti dijetarët që njihnin kohërat (kjo ishte në fakt mënyra e veprimit të mbretit me gjithë ata që njihnin ligjin dhe drejtësinë;

Lexoni kapitullin e plotë Ester 1