Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Esdra 6:9-20 Bibla Shqip (ALBB)

9. Gjërat e nevojshme për holokaustet e Perëndisë së qiellit: demat, deshtë, qengjat, bashkë me grurin, kripën, verën, vajin, duhet të dorëzohen çdo ditë, pa u lënë gjë mangët kërkesave të priftërinjve që janë në Jeruzalem,

10. me qëllim që t'i ofrojnë flijime me erë të këndshme Perëndisë së qiellit dhe të luten për jetën e mbretit dhe të bijve të tij.

11. Kam dhënë gjithashtu urdhër që në qoftë se dikush e shtrembëron këtë dekret, t'i hiqet një tra shtëpisë së tij, të ngrihet dhe ai të varet tek ai; dhe shtëpia e tij të katandiset në një plehërishte për shkak të veprimit të tij.

12. Perëndia që e ka bërë emrin e tij të banojë atje shkatërroftë çdo mbret dhe çdo popull që guxon të shtrijë dorën e tij për ta ndryshuar këtë ose për të shkatërruar shtëpinë e Perëndisë që është në Jeruzalem! Unë, Dari, e kam nxjerrë këtë dekret; të zbatohet me përpikmëri".

13. Atëherë Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët e tyre vepruan pikërisht ashtu siç i kishte porositur mbreti Dar.

14. Kështu pleqtë e judenjve vazhduan të ndërtojnë dhe të bëjnë përparime, të nxitur nga fjalët e frymëzuara të profetit Axhe dhe të Zakarias, birit të Idos. Ata e mbaruan ndërtimin sipas urdhrit të Perëndisë të Izraelit dhe sipas rregullit të Kirit, të Darit dhe të Artakserksit, mbretit të Persisë.

15. Tempulli u përfundua ditën e tretë të muajit të adarit, që ishte viti i gjashtë i mbretërimit të Darit.

16. Atëherë bijtë e Izraelit, priftërinjtë, levitët dhe të kthyerit e tjerë nga robëria e kremtuan me gëzim kushtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë.

17. Për kushtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë ata ofruan njëqind dema, dyqind desh, katërqind qengja dhe dymbëdhjetë cjep, sipas numrit të fiseve të Izraelit, si flijime për mëkatin për gjithë Izraelin.

18. Pastaj vendosën priftërinjtë sipas klasave të tyre dhe levitët sipas ndarjeve të tyre, për shërbimin e Perëndisë në Jeruzalem, ashtu siç është shkruar në librin e Moisiut.

19. Të kthyerit nga robëria e kremtuan Pashkën ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë,

20. sepse priftërinjtë dhe levitët ishin pastruar bashkërisht; të gjithë ishin të pastër. Atëherë e flijuan Pashkën për të gjithë të kthyerit nga robëria, për vëllezërit e tyre priftërinj dhe për veten e tyre.

Lexoni kapitullin e plotë Esdra 6