Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Esdra 6:9-17 Bibla Shqip (ALBB)

9. Gjërat e nevojshme për holokaustet e Perëndisë së qiellit: demat, deshtë, qengjat, bashkë me grurin, kripën, verën, vajin, duhet të dorëzohen çdo ditë, pa u lënë gjë mangët kërkesave të priftërinjve që janë në Jeruzalem,

10. me qëllim që t'i ofrojnë flijime me erë të këndshme Perëndisë së qiellit dhe të luten për jetën e mbretit dhe të bijve të tij.

11. Kam dhënë gjithashtu urdhër që në qoftë se dikush e shtrembëron këtë dekret, t'i hiqet një tra shtëpisë së tij, të ngrihet dhe ai të varet tek ai; dhe shtëpia e tij të katandiset në një plehërishte për shkak të veprimit të tij.

12. Perëndia që e ka bërë emrin e tij të banojë atje shkatërroftë çdo mbret dhe çdo popull që guxon të shtrijë dorën e tij për ta ndryshuar këtë ose për të shkatërruar shtëpinë e Perëndisë që është në Jeruzalem! Unë, Dari, e kam nxjerrë këtë dekret; të zbatohet me përpikmëri".

13. Atëherë Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët e tyre vepruan pikërisht ashtu siç i kishte porositur mbreti Dar.

14. Kështu pleqtë e judenjve vazhduan të ndërtojnë dhe të bëjnë përparime, të nxitur nga fjalët e frymëzuara të profetit Axhe dhe të Zakarias, birit të Idos. Ata e mbaruan ndërtimin sipas urdhrit të Perëndisë të Izraelit dhe sipas rregullit të Kirit, të Darit dhe të Artakserksit, mbretit të Persisë.

15. Tempulli u përfundua ditën e tretë të muajit të adarit, që ishte viti i gjashtë i mbretërimit të Darit.

16. Atëherë bijtë e Izraelit, priftërinjtë, levitët dhe të kthyerit e tjerë nga robëria e kremtuan me gëzim kushtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë.

17. Për kushtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë ata ofruan njëqind dema, dyqind desh, katërqind qengja dhe dymbëdhjetë cjep, sipas numrit të fiseve të Izraelit, si flijime për mëkatin për gjithë Izraelin.

Lexoni kapitullin e plotë Esdra 6