Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Esdra 6:5-14 Bibla Shqip (ALBB)

5. Përveç kësaj, veglat prej ari dhe prej argjendi të shtëpisë së Perëndisë, që Nebukadnetsari ka hequr nga tempulli që është në Jeruzalem dhe i ka çuar në Babiloni, të rikthehen dhe të çohen në tempullin që është në Jeruzalem; dhe secila të vihet në vendin e vet në shtëpinë e Perëndisë".

6. Tani, pra, Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët tuaj, afarsekitët, që ndodhen matanë Lumit, rrini larg këtij vendi!

7. Lini që të vazhdojë puna për këtë shtëpi të Perëndisë; qeveritari i judenjve dhe pleqtë e judenjve ta rindërtojnë këtë shtëpi të Perëndisë në vendin e saj.

8. Përveç kësaj po lëshoj një urdhër për atë që duhet të bëni për pleqtë e judenjve në rindërtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë; këtyre njerëzve t'u paguhen tërë shpenzimet nga të ardhurat e mbretit që vijnë nga taksat e mbledhura matanë Lumit, me qëllim që punimet të mos ndërpriten.

9. Gjërat e nevojshme për holokaustet e Perëndisë së qiellit: demat, deshtë, qengjat, bashkë me grurin, kripën, verën, vajin, duhet të dorëzohen çdo ditë, pa u lënë gjë mangët kërkesave të priftërinjve që janë në Jeruzalem,

10. me qëllim që t'i ofrojnë flijime me erë të këndshme Perëndisë së qiellit dhe të luten për jetën e mbretit dhe të bijve të tij.

11. Kam dhënë gjithashtu urdhër që në qoftë se dikush e shtrembëron këtë dekret, t'i hiqet një tra shtëpisë së tij, të ngrihet dhe ai të varet tek ai; dhe shtëpia e tij të katandiset në një plehërishte për shkak të veprimit të tij.

12. Perëndia që e ka bërë emrin e tij të banojë atje shkatërroftë çdo mbret dhe çdo popull që guxon të shtrijë dorën e tij për ta ndryshuar këtë ose për të shkatërruar shtëpinë e Perëndisë që është në Jeruzalem! Unë, Dari, e kam nxjerrë këtë dekret; të zbatohet me përpikmëri".

13. Atëherë Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët e tyre vepruan pikërisht ashtu siç i kishte porositur mbreti Dar.

14. Kështu pleqtë e judenjve vazhduan të ndërtojnë dhe të bëjnë përparime, të nxitur nga fjalët e frymëzuara të profetit Axhe dhe të Zakarias, birit të Idos. Ata e mbaruan ndërtimin sipas urdhrit të Perëndisë të Izraelit dhe sipas rregullit të Kirit, të Darit dhe të Artakserksit, mbretit të Persisë.

Lexoni kapitullin e plotë Esdra 6