Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Esdra 5:3-16 Bibla Shqip (ALBB)

3. Në atë kohë erdhën tek ata Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët e tyre dhe u folën kështu: "Kush ju dha urdhër të ndërtoni këtë tempull dhe të rindërtoni këto mure?".

4. Pastaj ne u treguam atyre emrat e njerëzve që ndërtonin këtë godinë.

5. Por pleqtë e judenjve i ruante syri i Perëndisë të tyre; dhe ata nuk mundën t'i bëjnë të ndërprisnin punën derisa t'i dërgohej një raport Darit dhe të vinte një përgjigje për këtë çështje.

6. Kjo është një kopje e letrës që iu dërgua mbretit Dari nga Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, nga Shethar-Boznai dhe nga kolegët e tij, afarsekitët, që ishin matanë Lumit.

7. I dërguan një letër të shkruar në këtë mënyrë: "Mbretit Dari, shëndet të plotë!

8. I bëjmë të njohur mbretit që ne kemi vajtur në krahinën e Judës, në tempullin e Perëndisë të madh. Ai po ndërtohet me gurë të mëdhenj dhe po vihet lëndë druri për ndarëset e tij. Kjo punë po kryhet me kujdes dhe po ecën mirë në duart e tyre.

9. Ne kemi pyetur ata pleq dhe u kemi folur kështu: "Kush ju ka dhënë urdhër të ndërtoni këtë tempull dhe të ndërtoni këto mure?".

10. U kemi kërkuar edhe emrat e tyre, me qëllim që të vinim me shkrim emrat e njerëzve që janë në krye të tyre, dhe pastaj të t'i bënim të njohur.

11. Dhe ata na janë përgjigjur kështu, duke thënë: "Ne jemi shërbëtorët e Perëndisë të qiellit dhe të dheut dhe rindërtojmë tempullin që ishte ndërtuar shumë vjet më parë; një mbret i madh i Izraelit e kishte ndërtuar dhe mbaruar.

12. Duke qenë se etërit tanë kanë provokuar zemërimin e Perëndisë të qiellit, ai i dha në duart e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, kaldeasit, i cili e shkatërroi këtë tempull dhe e internoi popullin në Babiloni.

13. Por në vitin e parë të Kirit, mbretit të Babilonisë, mbreti Kir dha urdhër t'i ndërtohej kjo shtëpi Perëndisë.

14. Përveç kësaj mbreti Kir nxori jashtë nga tempulli i Babilonisë përdorëset prej ari dhe argjendi të shtëpisë së Perëndisë, që Nebukadnetsari kishte hequr nga tempulli i Jeruzalemit dhe i kishte çuar në tempullin e Babilonisë, dhe ia dorëzoi njërit që quhej Sheshbatsar, që ai e kishte bërë qeveritar,

15. duke i thënë: "Merri këto veglat dhe shko t'i vësh përsëri në tempullin që është në Jeruzalem; dhe shtëpia e Perëndisë të rindërtohet në vendin e saj.

16. Atëherë vetë Sheshbatsari erdhi dhe hodhi themelet e shtëpisë së Perëndisë që është në Jeruzalem; që nga kjo kohë e deri më sot ajo është në ndërtim, dhe nuk ka mbaruar akoma".

Lexoni kapitullin e plotë Esdra 5