Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Esdra 3:1-10 Bibla Shqip (ALBB)

1. Sa arriti muaji i shtatë dhe bijtë e Izraelit ishin në qytetet e tyre, populli u mblodh si një njeri i vetëm në Jeruzalem.

2. Atëherë Jeshua, bir i Jotsadakut, bashkë me vëllezërit e tij priftërinj dhe me Zorobabelin, birin e Shealtielit me gjithë vëllezërit e tij, u ngritën dhe ndërtuan altarin e Perëndisë të Izraelit, për t'i ofruar holokauste, siç është shkruar në ligjin e Moisiut, njeriut të Perëndisë.

3. E rivendosën altarin mbi themelet e tij, megjithëse kishin frikë nga popujt e tokave të afërta, dhe mbi të i ofruan holokauste Zotit, holokaustet e mëngjesit dhe të mbrëmjes.

4. Kremtuan gjithashtu festën e Kasolleve, ashtu siç është shkruar, dhe ofruan çdo ditë holokauste, në bazë të numrit që kërkohej për çdo ditë.

5. Pastaj ofruan holokaustin e përjetshëm, holokaustet e hënës së re dhe të gjitha festave të përcaktuara nga Zoti, dhe ato të cilitdo që i bënte një ofertë vullnetare Zotit.

6. Nga dita e parë e muajit të shtatë filluan t'i ofrojnë holokauste Zotit, por themelet e tempullit të Zotit nuk ishin hedhur ende.

7. Pastaj u dhanë para gurgdhendësve dhe marangozëve, si dhe ushqime, pije dhe vaj atyre të Sidonit dhe të Tiros që të sillnin dru cedri nga Libani në bazë të koncesionit që kishte marrë Kiri, mbret i Persisë.

8. Në muajin e dytë të vitit të dytë të arritjes së tyre në shtëpinë e Perëndisë në Jeruzalem, Zorobabeli, bir i Shealtielit, Jeshua, bir i Jotsadakut, vëllezërit e tjerë të tyre priftërinj dhe levitët.

9. Atëherë Jeshua me bijtë e tij dhe vëllezërit e tij, Kadmieli me bijtë e tij dhe bijtë e Judës u ngritën si një njeri i vetëm për të drejtuar ata që punonin në shtëpinë e Perëndisë; po kështu vepruan bijtë e Henadadit me bijtë e tyre dhe vëllezërit e tyre, levitët.

10. Kur ndërtuesit hodhën themelet e tempullit të Zotit, ishin të pranishëm priftërinjtë të veshur me rrobat e tyre dhe me bori dhe levitët, bijtë e Asafit, me cembale për të lëvduar Zotin sipas udhëzimeve të Davidit, mbretit të Izraelit.

Lexoni kapitullin e plotë Esdra 3