Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Esdra 10:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Ndërsa Ezdra lutej dhe bënte këtë rrëfim, duke qarë dhe duke rënë përmbys përpara shtëpisë së Perëndisë, rreth tij u mblodh një mori e madhe nga Izraeli: burra, gra, dhe fëmijë; dhe populli qante me të madhe.

2. Atëherë Shekaniahu, bir i Jehielit, një nga bijtë e Elamit, filloi t'i thotë Ezdras: "Ne kemi mëkatuar kundër Perëndisë tonë, duke u martuar me gra të huaja që i kemi marrë nga popujt e këtij vendi; megjithëkëtë mbetet ende një shpresë për Izraelin.

3. Prandaj të bëjmë një besëlidhje me Perëndinë tonë, t'i kthejmë tërë këto gra dhe bijtë që kanë lindur prej tyre, sipas këshillës së Perëndisë dhe të atyre që dridhen përpara urdhrit të Perëndisë tonë. Dhe të veprohet sipas ligjit.

4. Çohu sepse kjo të përket ty; ne do të jemi me ty. Merr guxim dhe vepro!".

5. Atëherë Ezdra u ngrit dhe i vuri të betohen krerët e priftërinjve, levitët dhe tërë Izraelin se do të vepronin ashtu siç ishte thënë. Dhe ata u betuan.

6. Pastaj Ezdra u ngrit përpara shtëpisë së Perëndisë dhe shkoi në dhomën e Jehohananit, birit të Eliashibit. Sa qëndroi aty, ai nuk hëngri bukë as piu ujë, sepse mbante zi për mëkatin e atyre që ishin kthyer nga robëria.

7. Edhe u bë një shpallje në Judë dhe në Jeruzalem për të gjithë të kthyerit nga robëria, me qëllim që të mblidheshin në Jeruzalem;

8. në rast se dikush nuk do të vinte brenda tri ditëve sipas këshillës së krerëve dhe të pleqve, tërë pasuritë e tij do të konfiskoheshin dhe ai vetë do të përjashtohej nga asambleja e të kthyerve nga robëria.

9. Kështu gjithë burrat e Judës dhe të Beniaminit u mblodhën në Jeruzalem brenda tri ditëve. Ishte dita e njëzet e muajit të nëntë. Tërë populli zuri vend në sheshin e shtëpisë së Perëndisë, duke u dridhur nga shkaku i kësaj gjëje dhe nga shiu i fortë.

10. Atëherë prifti Ezdra u ngrit dhe u tha atyre: "Ju keni mëkatuar duke u martuar me gra të huaja dhe kështu e keni shtuar fajin e Izraelit.

11. Por tani rrëfehuni te Zoti, Perëndia i etërve tuaj, dhe bëni vullnetin e tij, duke u ndarë nga popujt e këtij vendi dhe nga gratë e huaja!".

12. Atëherë tërë asambleja u përgjigj dhe tha me zë të lartë: "Po, duhet të bëjmë ashtu siç thua ti!

Lexoni kapitullin e plotë Esdra 10