Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 9:3-15 Bibla Shqip (ALBB)

3. ja, dora e Zotit do të jetë mbi bagëtinë tënde, që është nëpër fusha, mbi kuajt, mbi gomarët, mbi devetë, mbi bagëtinë e trashë dhe të imët, dhe do të ketë gjëmë të madhe.

4. Por Zoti do të bëjë dallim midis bagëtisë së Izraelit dhe asaj të Egjiptit; kështu asnjë ngordhje nuk do të ketë në gjithçka që u përket bijve të Izraelit"".

5. Pastaj Zoti caktoi një afat, duke thënë: "Nesër Zoti do ta bëjë këtë në vend".

6. Dhe Zoti e bëri atë të nesërmen, dhe tërë bagëtia e Egjiptit ngordhi; por nga bagëtia e bijve të Izraelit nuk ngordhi as edhe një kokë.

7. Faraoni dërgoi njerëz për të parë, dhe ja asnjë kokë bagëtie e izraelitëve s'kishte ngordhur. Por zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk e la popullin të shkojë.

8. Pastaj Zoti u tha Moisiut dhe Aaronit: "Merrni ca grushte hi furre, dhe Moisiu ta shpërndajë atë drejt qiellit në sytë e Faraonit.

9. Ai do të bëhet një pluhur i imët në të gjithë vendin e Egjiptit, dhe do të shkaktojë ulcera që do të përftojnë puçrra me qelb te njerëzit dhe te kafshët në të gjithë vendin e Egjiptit".

10. Atëherë ata morën hi furre dhe u paraqitën para Faraonit; dhe Moisiu e shpërndau drejt qiellit, dhe ai shkaktoi ulcera që përftuan puçrra te njerëzit dhe te kafshët.

11. Dhe magjistarët nuk mundën të qëndronin para Moisiut për shkak të ulcerave, sepse magjistarët dhe tërë egjiptasit ishin prekur nga ulcerat.

12. Por Zoti e ngurtësoi zemrën e Faraonit, dhe ky nuk i dëgjoi ata, ashtu siç i kishte thënë Zoti Moisiut.

13. Pas kësaj Zoti i tha Moisiut: "Çohu herët në mëngjes, paraqitu para Faraonit dhe thuaji: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i hebrenjve: Lëre popullin tim të shkojë, që të ketë mundësi të më shërbejë.

14. Sepse këtë herë do t'i dërgoj tërë plagët e mia pikërisht mbi ty, mbi shërbëtorët e tu dhe mbi popullin tënd, që të mësosh se nuk ka asnjë të ngjashëm me mua në gjithë dheun.

15. Në fakt, në qoftë se tani unë do ta kisha shtrirë dorën dhe do të kisha goditur me murtajë ty dhe popullin tënd, ti do të ishe fshirë nga faqja e dheut.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 9