Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 9:21-35 Bibla Shqip (ALBB)

21. por ata që nuk i morën parasysh fjalët e Zotit i lanë shërbëtorët dhe bagëtinë e tyre në fusha.

22. Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën drejt qiellit, që të bjerë breshër në tërë vendin e Egjiptit, mbi njerëzit, mbi kafshët dhe mbi çdo lloj bimësie të fushave në vendin e Egjiptit".

23. Dhe Moisiu e shtriu bastunin e tij drejt qiellit; dhe Zoti dërgoi bubullima dhe breshër, dhe zjarri ra duke goditur me rrufe në tokë; dhe Zoti bëri që të bjerë breshër mbi vendin e Egjiptit.

24. Kështu ra breshër dhe pati një zjarr të përzier me breshrin; dhe ky ishte aq i fortë, sa nuk ishte parë ndonjë herë në të gjithë vendin e Egjiptit, që ditën që ishte bërë komb.

25. Dhe breshri goditi në të gjithë vendin e Egjiptit gjithçka që ishte në fushat, si njerëzit ashtu dhe kafshët; breshri goditi çdo lloj bimësie në fushat dhe bëri copë copë çdo pemë që ndodhej në fushë.

26. Vetëm në vendin e Goshenit, ku ishin bijtë e Izraelit nuk ra breshër.

27. Atëherë Faraoni dërgoi e thirri Moisiun dhe Aaronin dhe u tha atyre: "Këtë herë unë mëkatova; Zoti është i drejtë, ndërsa unë dhe populli im jemi të këqij.

28. Lutjuni Zotit që të mbarojnë bubullimat e Perëndisë dhe breshri; unë do t'ju lë të shkoni dhe nuk do të jeni të detyruar të rrini më këtu".

29. Moisiu i tha: "Mbasi të dal nga qyteti, do t'i shtrij duart nga Zoti; bubullimat do të pushojnë dhe nuk do të ketë më breshër, që ti të mësosh që toka i përket Zotit.

30. Por unë e di që ti dhe shërbëtorët e tu, nuk do të keni frikë akoma nga Zoti Perëndi".

31. Tani liri dhe elbi u prekën, sepse elbi ishte në kalli dhe liri kishte lulëzuar;

32. por gruri dhe gruri i fortë nuk u prekën, sepse janë të vonshëm.

33. Kështu Moisiu, pasi la Faraonin, doli nga qyteti dhe i shtriu duart drejt Zotit; atëherë bubullimat dhe breshri pushuan dhe nuk ra më shi mbi tokë.

34. Kur Faraoni pa që shiu, breshri dhe bubullimat pushuan, vazhdoi të mëkatojë dhe e ngurtësoi zemrën e tij, ai dhe shërbëtorët e tij.

35. Kështu zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i la të bijtë e Izraelit të shkojnë, ashtu si i kishte thënë Zoti nëpërmjet Moisiut.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 9