Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 8:1-17 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shko te Faraoni dhe thuaji: "Kështu thotë Zoti: Lëre popullin tim të shkojë me qëllim që të më shërbejë.

2. Dhe në qoftë se nuk pranon ta lësh të shkojë, ja, unë do ta godas gjithë vendin tënd me kamxhikun e bretkosave.

3. Kështu lumi do të mbushet me bretkosa, dhe ato do të ngjiten dhe do të hyjnë në shtëpinë tënde, në dhomën ku fle ti, mbi shtratin tënd, në shtëpitë e shërbëtorëve të tu dhe midis popullit, në furrat e tua dhe në magjet e bukës.

4. Dhe bretkosat do të vijnë kundër teje, kundër popullit tënd dhe kundër tërë shërbëtorëve të tu"".

5. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "I thuaj Aaronit: "Shtri dorën tënde me bastunin tënd mbi lumenjtë, mbi kanalet dhe pellgjet dhe bëj që të ngjiten bretkosat mbi vendin e Egjiptit"".

6. Kështu Aaroni shtriu dorën e tij mbi ujërat e Egjiptit, dhe bretkosat u ngjitën dhe mbuluan vendin e Egjiptit.

7. Por magjistarët bënë të njëjtën gjë me artet e tyre të fshehta dhe i bënë bretkosat të ngjiten në vendin e Egjiptit.

8. Atëherë Faraoni thirri Moisiun dhe Aaronin dhe u tha: "Lutjuni Zotit që t'i largojë bretkosat nga unë, nga populli im, dhe unë do ta lejoj popullin të shkojë, që të bëjë fli për Zotin".

9. Moisiu i tha Faraonit: "Bëmë nderin të më thuash kur të ndërhyj për ty, për shërbëtorët e tu dhe për popullin tënd, pranë Zotit me qëllim që ai të zhdukë bretkosat që ndodhen rreth teje dhe shtëpive të tua, dhe të mbeten vetëm në lumë".

10. Ai u përgjigj: "Nesër". Dhe Moisiu tha: "Do të bëhet siç thua ti, kështu që ti të dish se askush nuk është si Zoti, Perëndia ynë.

11. Dhe bretkosat do të largohen nga ti, nga shtëpitë e tua, nga shërbëtorët e tu dhe nga populli yt; ato do të mbeten vetëm në lumë".

12. Moisiu dhe Aaroni dolën nga Faraoni; dhe Moisiu iu lut Zotit për bretkosat që kishte dërguar kundër Faraonit.

13. Dhe Zoti veproi sipas fjalës së Moisiut, dhe bretkosat ngordhën në shtëpitë, në oborret dhe në arat.

14. I grumbulluan pastaj në togje dhe vendi filloi të mbajë erë të keqe.

15. Po kur Faraoni pa që kishte pak lehtësim, e ngurtësoi zemrën e tij dhe nuk i dëgjoi më, ashtu siç kishte thënë Zoti.

16. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "I thuaj Aaronit: "Zgjate bastunin tënd dhe rrih pluhurin e tokës, dhe ai do të bëhet mushkonja për tërë vendin e Egjiptit"".

17. Dhe ata kështu vepruan. Aaroni shtriu dorën me bastunin e tij, rrahu pluhurin e tokës dhe njerëzit e kafshët u mbuluan nga mushkonja; tërë pluhuri i tokës u shndërrua në mushkonja në të gjithë vendin e Egjiptit.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 8