Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 40:19-38 Bibla Shqip (ALBB)

19. Mbi tabernakullin shtriu perden dhe mbi këtë vendosi mbulesën e çadrës, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

20. Pastaj mori dëshminë dhe e vendosi brenda arkës, u vuri shtizat unazave të arkës, dhe e vuri pajtuesin mbi arkë;

21. e çoi arkën në tabernakull, e vari velin e perdes dhe kështu fshehu arkën e dëshmisë, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

22. Vendosi gjithashtu tryezën në çadrën e mbledhjes, në krahun verior të tabernakullit, jashtë velit.

23. Vendosi sipër me rregull bukën përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

24. Pastaj vuri shandanin në çadrën e mbledhjes, përballë tryezës, nga ana jugore e tabernakullit;

25. dhe ndezi llambat përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

26. Pastaj vuri altarin e artë në çadrën e mbledhjes, përpara velit,

27. dhe mbi të dogji temjanin e parfumuar, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

28. Vuri gjithashtu perden në hyrje të tabernakullit.

29. Pastaj vendosi altarin e holokausteve në hyrje të tabernakullit, të çadrës së mbledhjes, dhe mbi të ofroi holokaustin dhe blatimin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

30. Pastaj vuri legenin midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe e mbushi me ujë për t'u larë.

31. Dhe me këtë ujë, Moisiu, Aaroni dhe bijtë e tij lanë duart dhe këmbët;

32. kur hynin në çadrën e mbledhjes dhe kur i afroheshin altarit, ata laheshin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

33. Ndërtoi gjithashtu oborrin rreth tabernakullit dhe altarit dhe vuri perden në hyrje të oborrit. Kështu Moisiu e përfundoi punën e tij.

34. Atëherë reja e mbuloi çadrën e mbledhjes dhe lavdia e Zotit e mbushi tabernakullin.

35. Dhe Moisiu nuk mundi të hyjë në çadrën e mbledhjes, sepse reja e kishte mbuluar nga sipër dhe lavdia e Zotit mbushte tabernakullin.

36. Në të tëra zhvendosjet e tyre, kur reja ngrihej mbi tabernakullin, bijtë e Izraelit niseshin;

37. por në rast se reja nuk ngrihej, nuk niseshin deri ditën që ajo të ngrihej.

38. Sepse reja e Zotit qëndronte mbi tabernakullin gjatë ditës, dhe natën mbi të qëndronte një zjarr, para syve të të gjithë shtëpisë së Izraelit, gjatë gjithë zhvendosjeve së tyre.?

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 40