Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 40:11-29 Bibla Shqip (ALBB)

11. Do të vajosh edhe legenin me të gjithë bazën e tij dhe do ta shenjtërosh.

12. Pastaj do të afrosh Aaronin dhe bijtë e tij në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe do t'i lash me ujë.

13. Do ta veshësh Aaronin me rrobat e shenjta, do ta vajosh dhe do ta shenjtërosh, që të më shërbejë si prift.

14. Do të afrosh edhe bijtë e tij dhe do t'i veshësh me tunika,

15. do t'i vajosh ashtu si do të kesh vajuar atin e tyre, që të më shërbejnë si priftërinj; vajosja e tyre do t'u japë priftëri përjetë, brez pas brezi".

16. Moisiu ashtu veproi; bëri pikërisht të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar.

17. Kështu ditën e parë të muajit të parë të vitit të dytë, u ndërtua tabernakulli.

18. Moisiu e ngriti tabernakullin, hodhi bazat e tij, sistemoi dërrasat e tij, i vuri traversat e tij dhe ngriti shtyllat e tij.

19. Mbi tabernakullin shtriu perden dhe mbi këtë vendosi mbulesën e çadrës, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

20. Pastaj mori dëshminë dhe e vendosi brenda arkës, u vuri shtizat unazave të arkës, dhe e vuri pajtuesin mbi arkë;

21. e çoi arkën në tabernakull, e vari velin e perdes dhe kështu fshehu arkën e dëshmisë, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

22. Vendosi gjithashtu tryezën në çadrën e mbledhjes, në krahun verior të tabernakullit, jashtë velit.

23. Vendosi sipër me rregull bukën përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

24. Pastaj vuri shandanin në çadrën e mbledhjes, përballë tryezës, nga ana jugore e tabernakullit;

25. dhe ndezi llambat përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

26. Pastaj vuri altarin e artë në çadrën e mbledhjes, përpara velit,

27. dhe mbi të dogji temjanin e parfumuar, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

28. Vuri gjithashtu perden në hyrje të tabernakullit.

29. Pastaj vendosi altarin e holokausteve në hyrje të tabernakullit, të çadrës së mbledhjes, dhe mbi të ofroi holokaustin dhe blatimin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 40