Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 4:4-21 Bibla Shqip (ALBB)

4. Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Zgjate dorën dhe kape nga bishti". (Ai zgjati dorën dhe e mori, dhe në dorën e tij ai u bë një bastun).

5. "Këtë ke për të bërë", tha Zoti, "me qëllim që të besojnë se Zoti, Perëndia i etërve të tyre, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit të është shfaqur".

6. Zoti i tha akoma: "Tani vër dorën në gjirin tënd". Dhe ai vuri dorën e tij në gji dhe pastaj e tërhoqi, dhe ja, dora ishte lebrosur, e bardhë si bora.

7. Zoti i tha akoma: "Vëre përsëri dorën në gjirin tënd". Ai e vuri përsëri dorën e tij në gji dhe pastaj e tërhoqi nga gjiri, dhe ja, ajo ishte bërë njëlloj si mishi i tij.

8. "Tani ka për të ndodhur që, po të jetë se nuk të besojnë dhe nuk e dëgjojnë zërin e shenjës së parë, do të besojnë zërin e shenjës së dytë.

9. Por, në rast se ata nuk do t'u besojnë as këtyre dy shenjave dhe nuk do t'i binden zërit tënd, ti atëherë merr ujë nga lumi dhe derdhe mbi tokë të thatë; dhe uji që do të kesh marrë nga lumi do të bëhet gjak mbi tokën e thatë".

10. Atëherë Moisiu i tha Zotit: "Mjerisht, o Zot, unë nuk jam njeri i gojës; nuk isha i tillë në të kaluarën dhe nuk jam i tillë që kur i ke folur shërbëtorit tënd, sepse jam i ngathët në fjalë dhe kuvend".

11. Zoti i tha: "Kush e ka bërë gojën e njeriut, ose kush e bën njeriun të pagojë, të shurdhër, me sy ose të verbër? A nuk jam unë vallë, Zoti?

12. Dhe tani shko, unë do të jem me gojën tënde dhe do të të mësoj atë që duhet të thuash".

13. Por Moisiu tha: "Oh! Zot, dërgo mesazhin tënd nëpërmjet kujt të duash!".

14. Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër Moisiut, dhe i tha: "A nuk është ndofta Aaroni vëllai yt, leviti? Unë e di që ai flet bukur. Ja tani, ai po del të të takojë; sa të të shohë do të ndiejë gëzim në zemër të vet.

15. Ti do t'i flasësh dhe do t'i vësh fjalët në gojën e tij, dhe unë do të jem me gojën tënde dhe me gojën e tij dhe do t'ju mësoj atë që duhet të bëni.

16. Ai do të jetë zëdhënësi yt në popull; kështu ai për ty do të jetë goja dhe ti për të do të jesh si Perëndia.

17. Tani merr në dorë këtë bastun me të cilin ke për të bërë mrekullitë".

18. Atëherë Moisiu iku, u kthye te Jethro, vjehrri i tij, dhe i tha: "Oh, lërmë të shkoj dhe të kthehem te vëllezërit e mi që janë në Egjipt, për të parë në se ende janë gjallë". Dhe Jethro i tha Moisiut: "Shko në paqe".

19. Zoti i tha Moisiut në Midian: "Shko, kthehu në Egjipt sepse të gjithë ata që kërkonin jetën tënde kanë vdekur".

20. Kështu Moisiu mori të shoqen dhe bijtë e tij, i hipi mbi gomar dhe u kthye në vendin e Egjiptit. Dhe Moisiu mori në dorë bastunin e Perëndisë.

21. Zoti i tha pastaj Moisiut: "Kur të jesh kthyer në Egjipt, do të kujdesesh të bësh para Faraonit tërë mrekullitë që të kam dhënë pushtet të kryesh; por unë do ta ngurtësoj zemrën e tij dhe ai nuk do ta lërë popullin të shkojë.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 4