Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 4:19-31 Bibla Shqip (ALBB)

19. Zoti i tha Moisiut në Midian: "Shko, kthehu në Egjipt sepse të gjithë ata që kërkonin jetën tënde kanë vdekur".

20. Kështu Moisiu mori të shoqen dhe bijtë e tij, i hipi mbi gomar dhe u kthye në vendin e Egjiptit. Dhe Moisiu mori në dorë bastunin e Perëndisë.

21. Zoti i tha pastaj Moisiut: "Kur të jesh kthyer në Egjipt, do të kujdesesh të bësh para Faraonit tërë mrekullitë që të kam dhënë pushtet të kryesh; por unë do ta ngurtësoj zemrën e tij dhe ai nuk do ta lërë popullin të shkojë.

22. Dhe ti do t'i thuash Faraonit: "Kështu thotë Zoti: Izraeli është biri im, i parëlinduri im".

23. Prandaj unë të them: Lëre birin tim të shkojë, që të më shërbejë; por në qoftë se ti nuk e lë të shkojë, ja, unë do të vras birin tënd, të parëlindurin tënd".

24. Por gjatë udhëtimit, në vendin ku kishin fushuar, Zoti shkoi të takojë Moisiun dhe u përpoq ta bënte të vdiste.

25. Atëherë Sefora mori një strall të mprehtë dhe preu lafshën e birit të saj dhe e hodhi në këmbët e Moisiut, duke thënë: "Ti për mua je një dhëndër në gjak!".

26. Kështu Zoti e la. Atëherë ajo tha: "Ti je një dhëndër gjakatar", për shkak të rrethprerjes.

27. Zoti i tha Aaronit: "Shko në shkretëtirë të takosh Moisiun". Dhe ai shkoi, e takoi atë në malin e Perëndisë dhe e puthi.

28. Dhe Moisiu i tregoi Aaronit tërë fjalët që Zoti e kishte porositur të thoshte, dhe tërë shenjat e mahnitshme që i kishte urdhëruar të bënte.

29. Atëherë Moisiu dhe Aaroni shkuan dhe mblodhën tërë pleqtë e bijve të Izraelit.

30. Dhe Aaroni tregoi tërë fjalët që Zoti i kishte thënë Moisiut, dhe bëri mrekullitë në sy të popullit.

31. Kështu populli i besoi. Ata kuptuan që Zoti kishte vizituar bijtë e Izraelit dhe kishte parë dëshpërimin e tyre; dhe u përkulën dhe e adhuruan.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 4