Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 4:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Moisiu u përgjigj dhe tha: "Por ja, ata nuk do të më besojnë as do t'i binden zërit tim, sepse do të thonë: "Zoti nuk të është shfaqur"".

2. Atëherë Zoti i tha: "Ç'është ajo që ke në dorë?". Ai u përgjigj: "Një bastun".

3. Zoti tha: "Hidhe për tokë". Ai e hodhi për tokë, dhe ai u bë një gjarpër, para të cilit Moisiu iku me vrap.

4. Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Zgjate dorën dhe kape nga bishti". (Ai zgjati dorën dhe e mori, dhe në dorën e tij ai u bë një bastun).

5. "Këtë ke për të bërë", tha Zoti, "me qëllim që të besojnë se Zoti, Perëndia i etërve të tyre, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit të është shfaqur".

6. Zoti i tha akoma: "Tani vër dorën në gjirin tënd". Dhe ai vuri dorën e tij në gji dhe pastaj e tërhoqi, dhe ja, dora ishte lebrosur, e bardhë si bora.

7. Zoti i tha akoma: "Vëre përsëri dorën në gjirin tënd". Ai e vuri përsëri dorën e tij në gji dhe pastaj e tërhoqi nga gjiri, dhe ja, ajo ishte bërë njëlloj si mishi i tij.

8. "Tani ka për të ndodhur që, po të jetë se nuk të besojnë dhe nuk e dëgjojnë zërin e shenjës së parë, do të besojnë zërin e shenjës së dytë.

9. Por, në rast se ata nuk do t'u besojnë as këtyre dy shenjave dhe nuk do t'i binden zërit tënd, ti atëherë merr ujë nga lumi dhe derdhe mbi tokë të thatë; dhe uji që do të kesh marrë nga lumi do të bëhet gjak mbi tokën e thatë".

10. Atëherë Moisiu i tha Zotit: "Mjerisht, o Zot, unë nuk jam njeri i gojës; nuk isha i tillë në të kaluarën dhe nuk jam i tillë që kur i ke folur shërbëtorit tënd, sepse jam i ngathët në fjalë dhe kuvend".

11. Zoti i tha: "Kush e ka bërë gojën e njeriut, ose kush e bën njeriun të pagojë, të shurdhër, me sy ose të verbër? A nuk jam unë vallë, Zoti?

12. Dhe tani shko, unë do të jem me gojën tënde dhe do të të mësoj atë që duhet të thuash".

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 4