3. Dhe e rrahën arin në peta dhe e prenë në fije, për ta endur në stofën ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe dhe në lirin e hollë të përdredhur: puna e një artizani të shkathët.
4. I bënë edhe supore të bashkuara; kështu efodi mbahej tok në të dy skajet e tij.
5. Dhe brezi i punuar artistikisht që ishte mbi efodin për ta lidhur kishte po atë përgatitje: me ar, me fije, ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe me li të hollë të përdredhur, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
6. Pastaj u punuan gurët e oniksit, që u ngallmuan në rrathë ari, dhe që u gdhendën, ashtu siç gdhenden vulat e vogla, me emrat e bijve të Izraelit.
7. Ai pastaj i vuri mbi suporet e efodit, si gurë për të përkujtuar bijtë e Izraelit ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
8. Pastaj ai bëri pektoralin e punuar artistikisht, ashtu si puna e efodit: me ar, me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, si dhe me li të hollë të përdredhur.
9. Pektorali kishte formë katrore; e bënë të palosur më dysh, të gjatë sa pëllëmba dhe të gjerë po aq, kur ishte i palosur më dysh.
10. Dhe u ngallmuan katër radhë gurësh; në radhën e parë: një sard, një topaz dhe një smerald;
11. në radhën e dytë: një rubin, një safir dhe një diamant;
12. në radhën e tretë: një hiacint, një agat dhe një ametist;
13. në radhën e katërt: një krisolit, një oniks dhe një diaspër. Këta gurë ishin futur në rrathët e tyre prej ari.
14. Gurët u korrespondonin emrave të bijve të Izraelit: dymbëdhjetë, sipas emrave të tyre të gdhendur si vula, secili me emrin e njërit nga dymbëdhjetë fiset.
15. Mbi pektoralin bënë gjithashtu zinxhirë prej ari safi, të lidhur si kordonë.
16. Bënë edhe dy rrathë të artë dhe dy unaza të arta, dhe i vunë dy unazat në dy skajet e pektoralit.
17. Pastaj i fiksuan të dy kordonët e artë mbi të dy unazat, në skajet e pektoralit;
18. pas kësaj fiksuan dy majat e dy kordonëve në të dy rrathët dhe i vendosën mbi dy suporet e efodit, në pjesën e përparme të tij.
19. Bënë gjithashtu dy unaza ari dhe i vunë në dy skajet e pektoralit, në buzën e tij, që ndodhet në pjesën e brendshme të efodit.