Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 39:21-32 Bibla Shqip (ALBB)

21. Pastaj i lidhën unazat e pektoralit me unazat e efodit me një kordon ngjyrë vjollce, me qëllim që pektorali të rrinte mbi brezin e punuar artistikisht të efodit, dhe të mos shkëputej prej këtij të fundit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

22. Ai bëri gjithashtu mantelin e efodit, i tëri ngjyrë vjollce, një punim prej endësi.

23. Në mes të mantelit kishte një hapje, për të futur kokën; rreth e qark hapjes kishte një buzë stofi të punuar, ashtu si hapja e një parzmoreje, me qëllim që të mos shqyhej.

24. Mbi buzën e mantelit bënë disa shegë në ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, me fill të përdredhur.

25. Dhe bënë disa zile prej ari të pastër; dhe i vunë në mes të shegëve në buzën e mantelit, rreth e qark shegëve;

26. një zile dhe një shegë, një zile dhe një shegë, rreth e përqark, mbi buzën e mantelit, për të bërë shërbimin, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

27. Ata bënë edhe tunikat prej liri të hollë; një punë prej endësi, për Aaronin dhe bijtë e tij,

28. çallma prej liri të hollë, zbukurimin e mbulesave të kokës prej liri të hollë dhe pantallonat prej liri të hollë të përdredhur,

29. dhe brezin prej liri të hollë të përdredhur, në ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, një punë prej qëndistari, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

30. Pastaj bënë pllakën e diademës së shenjtë prej ari safi dhe gdhendën mbi të si mbi një vulë fjalët: SHENJTËRI ZOTIT.

31. Dhe mbërthyen në të një kordele ngjyrë vjollce për ta lidhur në majë të çallmës, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

32. Kështu përfundoi tërë puna e tabernakullit dhe e çadrës së mbledhjes. Bijtë e Izraelit vepruan sipas të gjitha urdhrave që Zoti i kishte dhënë Moisiut; ata vepruan në këtë mënyrë.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 39