Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 38:3-17 Bibla Shqip (ALBB)

3. Bëri gjithashtu të gjitha përdorëset e altarit: enët për hirin, lopatat e vogla, legenët, mashat dhe mangallet; të gjitha veglat e tij i bëri prej bronzi.

4. Dhe bëri për altarin një grilë prej bronzi në formën e një rrjete nën kornizën, në pjesën e poshtme në mënyrë që rrjeta të ndodhej në gjysmën e lartësisë së altarit.

5. Derdhi katër unaza për të katër cepat e grilës prej bronzi, me qëllim që të kalonin shtizat.

6. Pastaj i bëri shtizat prej druri të akacies dhe i veshi me bronz.

7. Pas kësaj i kaloi shtizat nëpër unazat që ndodheshin anëve të altarit, me të cilat do të mbartej: e ndërtoi me dërrasa dhe bosh nga brenda.

8. Pastaj bëri legenin prej bronzi dhe bazën e tij prej bronzi, duke përdorur pasqyrat e grave që vinin për të bërë shërbime në hyrje të çadrës së mbledhjes.

9. Pastaj bëri oborrin: nga ana e Negevit, në drejtim të jugut, perdet e oborrit ishin prej liri të hollë të përdredhur dhe me një gjatësi prej njëqind kubitësh,

10. dhe kishin njëzet shtyllat e tyre dhe njëzet bazat e tyre prej bronzi; grremçat e shtyllave dhe shtizat e tyre ishin prej argjendi.

11. Në krahun verior kishte njëqind kubitë perde me njëzet shtyllat e tyre dhe njëzet bazat e tyre prej bronzi; grremçat e shtyllave dhe shtizat e tyre ishin prej argjendi.

12. Në krahun perëndimor kishte pesëdhjetë kubitë perde me dhjetë shtyllat dhe dhjetë bazat e tyre; grremçat e shtyllave dhe shtizat e tyre ishin prej argjendi.

13. Përpara, nga ana e lindjes, kishte pesëdhjetë kubitë:

14. nga njëri krah kishte pesëdhjetë kubitë perde, me tri shtyllat dhe tri bazat e tyre;

15. dhe nga ana tjetër (si këtej ashtu dhe matanë portës së hyrjes në oborr) kishte pesëmbëdhjetë kubitë perde, me tri shtyllat dhe tri bazat e tyre.

16. Të gjitha perdet rreth oborrit ishin prej liri të hollë të përdredhur;

17. bazat e shtyllave ishin prej bronzi, grremçat e shtyllave dhe shtizat e tyre ishin prej argjendi, kapitelet e shtyllave ishin të veshura me argjend dhe të gjitha shtyllat e oborrit ishin të lidhura me disa shtiza argjendi.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 38