Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 37:1-16 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pastaj Betsaleeli bëri arkën prej druri të akacies, ajo ishte e gjatë dy kubitë e gjysmë, e gjerë një kubit dhe e lartë një kubit e gjysmë.

2. E veshi me ar safi nga brenda dhe nga jashtë, dhe i bëri një kurorë që i vinte rrotull.

3. Shkriu për këtë qëllim katër unaza prej ari dhe i vuri në katër këmbët e saj: dy unaza nga njëra anë dhe dy unaza nga ana tjetër.

4. Bëri edhe disa shtiza me dru akacieje dhe i veshi me ar.

5. Pastaj i kaloi shtizat nëpër unazat, që ishin anëve të arkës dhe që shërbenin për ta mbartur atë.

6. Bëri edhe një pajtues prej ari safi, të gjatë dy kubitë e gjysmë dhe të gjerë një kubit e gjysmë.

7. Bëri edhe dy kerubinë prej ari; këto u punuan me çekiç në të dy skajet e pajtuesit:

8. një kerubin në njërin skaj dhe një kerubin në skajin tjetër; kerubinët i bëri njësh me pajtuesin në të dy skajet e tij.

9. Kerubinët i kishin krahët e hapura lart, në mënyrë që të mbulonin pajtuesin me krahët e tyre; ishin kthyer njëri ndaj tjetrit, ndërsa fytyrat e kerubinëve ishin kthyer nga pajtuesi.

10. Bëri edhe tryezën me dru të akacies me gjatësi dy kubitë, gjerësi një kubit dhe një lartësi një kubit e gjysmë.

11. E veshi me ar safi dhe i bëri rreth e rrotull një kurorë prej ari.

12. Dhe i bëri rreth e qark një buzë të lartë sa pëllëmba e dorës dhe rreth e rrotull kësaj buze bëri një kurorë prej ari.

13. Dhe për këtë qëllim derdhi katër unaza ari dhe i vuri unazat në të katër qoshet, që janë në katër këmbët e tryezës.

14. Unazat ishin afër buzës për të kaluar nëpër to shtizat e caktuara për të mbartur tryezën.

15. I bëri shtizat me dru të akacies dhe i veshi me ar; ato do të shërbenin për ta mbartur tryezën.

16. I bëri edhe orenditë që do të viheshin mbi tryezë prej ari safi: pjatat e tij, gotat e tij, filxhanët e tij, kupat e tij me të cilët bëhen libacionet.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 37