Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 30:17-30 Bibla Shqip (ALBB)

17. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

18. "Do të bësh edhe një legen prej bronzi, me bazën e tij prej bronzi, për t'u larë; do ta vendosësh midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe do të vësh edhe ujë.

19. Dhe aty Aaroni dhe bijtë e tij do të lajnë duart dhe këmbët.

20. Kur do të hyjnë në çadrën e mbledhjes, do të lahen me ujë, që të mos vdesin; kështu edhe kur do t'i afrohen altarit për të shërbyer, për të tymosur një ofertë të bërë Zotit me anë të zjarrit.

21. Do të lajnë duart dhe këmbët e tyre, që të mos vdesin. Ky do të jetë një rregull i përjetshëm, për atë dhe për pasardhësit e tij, brez pas brezi".

22. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

23. "Gjej edhe aromat më të mira: pesëqind sikla mirrë të lëngët, dyqind e pesëdhjetë, domethënë gjysma, cinamon aromatik dhe dyqind e pesëdhjetë kanellë aromatike,

24. pesëqind sikla, në bazë të siklit të shenjtërores, kasie dhe një hin vaj ulliri.

25. Me këto të përgatitësh një vaj për vajosjen e shenjtë, një parfum të prodhuar me artin e parfumierit: ky do të jetë vaji i vajosjes së shenjtë.

26. Me të do të vajosësh çadrën e mbledhjes dhe arkën e dëshmisë,

27. tryezën dhe të gjitha veglat e tij, shandanin dhe të gjitha përdorëset e tij, altarin e temjanit,

28. altarin e holokausteve dhe të gjitha përdorëset e tij, legenin dhe bazën e tij.

29. Do të shenjtërosh kështu këto gjëra dhe do të jenë shumë të shenjta; të gjitha sendet që u përkasin, do të jenë të shenjta.

30. Do të vajosësh edhe Aaronin dhe bijtë e tij dhe do t'i shenjtërosh, me qëllim që të më shërbejnë si priftërinj.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 30