Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 30:1-14 Bibla Shqip (ALBB)

1. "Do të bësh edhe një altar për të djegur temjanin; dhe do ta bësh prej druri të akacies.

2. Do të jetë një kubit i gjatë dhe një kubit i gjerë; do të jetë katror dhe do të ketë një lartësi dy kubitësh; brirët e tij do të përbëjnë një pjesë të vetme me të.

3. Do ta veshësh me ar safi: pjesën e tij të sipërme, anët e tij rreth e qark dhe brirët e tij; do t'i bësh edhe një kurorë ari.

4. Do t'i bësh edhe dy unaza ari nën kurorë, në të dy krahët e tij; do t'i vësh në të dy krahët e tij për të kaluar shtizat, të cilat shërbejnë për ta mbartur.

5. Shtizat do të bëhen me dru të akacies dhe do t'i veshësh me ar.

6. Do ta vendosësh altarin përpara velit që ndodhet përpara arkës së dëshmisë, përballë pajtuesit që ndodhet mbi dëshminë, ku unë do të të takoj.

7. Mbi të Aaroni do të djegë temjan të parfumuar; do ta djegë çdo mëngjes, kur rregullon llambat.

8. Kur Aaroni ndez llambat në të ngrysur, do të djegë temjanin: një temjan i vazhdueshëm përpara Zotit, për brezat e ardhshëm.

9. Nuk do të ofroni mbi të as temjan të huaj, as holokaust, as blatim; dhe mbi të nuk do të derdhni libacione.

10. Dhe Aaroni do të bëjë një herë në vit shlyerjen e mëkatit mbi brirët e tij; me gjakun e flisë së shlyerjes së mëkatit do të bëjë mbi të shlyerjen një herë në vit, brez pas brezi. Do të jetë gjë shumë e shenjtë, e shenjtë për Zotin".

11. Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:

12. "Kur do të bësh llogarinë e bijve të Izraelit, për regjistrimin e tyre, secili do t'i japë Zotit shpengimin e jetës së tij, kur do të numërohen, me qëllim që të mos goditen nga ndonjë plagë, kur do të bësh regjistrimin e tyre.

13. Kjo është ajo që do të japë secili nga ata që paguajnë taksë: gjysmë sikli, sipas siklit të shenjtërores, (sikli është baras me njëzet gere), një gjysmë sikli do të jetë oferta që duhet t'i bëhet Zotit.

14. Kushdo që do të përfshihet nga regjistrimi, njëzet vjeç e lart, do t'i japë Zotit këtë ofertë.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 30