Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 28:24-43 Bibla Shqip (ALBB)

24. Pastaj do t'i fiksosh dy kordonat prej ari në dy unazat në skajet e pektoralit;

25. dhe dy majat e tjera të dy kordonëve do t'i lidhësh me të dy rrathët dhe do t'i vendosësh mbi dy supet e efodit, nga përpara.

26. Do të bësh edhe dy unaza ari dhe do t'i vendosësh në dy skajet e pektoralit, mbi palën e tij, që ndodhet në pjesën e brendshme të efodit.

27. Do të bësh dy unaza të tjera ari dhe do t'i vendosësh mbi të dy supet e efodit poshtë, në pjesën e përparme pranë pikës së bashkimit, mbi brezin e punuar artistikisht të efodit.

28. Dhe pektorali do të fiksohet me anë të dy unazave të tij në unazat e efodit me një kordon ngjyrë vjollce, në mënyrë që pektorali të ndodhet mbi brezin e punuar artistikisht të efodit dhe të mos shkëputet dot prej këtij të fundit.

29. Kështu Aaroni do t'i çojë emrat e bijve të Izraelit të skalitur në pektoralin e gjykimit, mbi zemrën e tij, kur do të hyjë në shenjtërore, në kujtim të përjetshëm përpara Zotit.

30. Do të vësh mbi pektoralin e gjykimit Urimin dhe Thumimin; dhe do të jenë mbi zemrën e Aaronit kur të paraqitet përpara Zotit. Kështu Aaroni do të çojë gjykimin e bijve të Izraelit mbi zemrën e tij para Zotit, vazhdimisht.

31. Do të bësh edhe mantelin e efodit, krejt në ngjyrë vjollce.

32. Në mes të tij do të ketë një hapje për të kaluar kokën; rreth e qark kësaj hapjeje do të ketë një buzë prej stofi të punuar, si hapja e një parzmoreje, me qëllim që të mos shqyhet.

33. Rreth e qark kësaj buze të mantelit do të bësh disa shegë ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe rreth tyre, zile ari;

34. një zile ari dhe një shegë, një zile ari dhe një shegë, rreth e qark, mbi buzën e mantelit.

35. Aaroni do ta përdorë për të kryer shërbimin; dhe tingulli i saj do të dëgjohet kur të hyjë në vendin e shenjtë përpara Zotit dhe kur të dalë andej, me qëllim që ai të mos vdesë.

36. Do të bësh edhe një pllakë prej ari safi dhe mbi të do të gdhendësh, ashtu siç bëhet mbi një vulë, fjalët: SHENJTËRI ZOTIT.

37. Do t'i lidhësh asaj një rrip ngjyrë vjollce, për ta bashkuar me çallmën; ajo duhet të ndodhet në pjesën e përparme të çallmës.

38. Kështu do të qëndrojnë mbi ballin e Aaronit, dhe Aaroni do të mbajë fajin të shoqëruar me gjërat e shenjta të paraqitura nga bijtë e Izraelit, në çdo lloj ofertash të shenjta; ajo do të rrijë vazhdimisht mbi ballin e tij, në mënyrë që ato të jenë të mirëpritura nga Zoti.

39. Do të endësh gjithashtu tunikën prej liri të hollë, të punuar me shtiza; do të bësh një çallmë prej liri të hollë dhe një brez, një punë qëndistari.

40. Për bijtë e Aaronit do të bësh disa tunika, breza dhe mbulesa koke, me qëllim që t'u japësh atyre nder dhe hijeshi.

41. Me ato do të veshësh më vonë vëllanë tënd Aaronin dhe bijtë e tij bashkë me të; ti do t'i vajosësh, do t'i shugurosh dhe do t'i shenjtërosh, që të më shërbejnë si priftërinj.

42. Do t'u bësh gjithashtu disa pantallona prej liri për të mbuluar lakuriqësinë e tyre; ato do të shkojnë nga ijët deri te kofshët.

43. Aaroni dhe bijtë e tij do t'i veshin kur të hyjnë në çadrën e mbledhjeve, ose kur t'i afrohen altarit për të bërë shërbimin në vendin e shenjtë, me qëllim që mos bëhen fajtorë dhe të mos vdesin. Ky është një statut i përjetshëm për të dhe për trashëgimtarët e tij".

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 28