Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 28:19-36 Bibla Shqip (ALBB)

19. në radhën e tretë: një hiacint, një agat dhe një ametist;

20. në radhën e katërt: një krisolit, një oniks dhe një diaspër. Këta gurë do të ngallmohen në rrathët e tyre të artë.

21. Dhe gurët do t'u korrespondojnë emrave të bijve të Izraelit: dymbëdhjetë, sipas emrave të tyre, të gdhendur si vula, secila me emrin e fiseve të Izraelit.

22. Do të bësh gjithashtu mbi pektoral zinxhirë të vegjël prej ari safi të thurur si kordonë.

23. Pastaj do të bësh mbi pektoral dy unaza prej ari, dhe do t'i vësh të dy unazat në dy skajet e pektoralit.

24. Pastaj do t'i fiksosh dy kordonat prej ari në dy unazat në skajet e pektoralit;

25. dhe dy majat e tjera të dy kordonëve do t'i lidhësh me të dy rrathët dhe do t'i vendosësh mbi dy supet e efodit, nga përpara.

26. Do të bësh edhe dy unaza ari dhe do t'i vendosësh në dy skajet e pektoralit, mbi palën e tij, që ndodhet në pjesën e brendshme të efodit.

27. Do të bësh dy unaza të tjera ari dhe do t'i vendosësh mbi të dy supet e efodit poshtë, në pjesën e përparme pranë pikës së bashkimit, mbi brezin e punuar artistikisht të efodit.

28. Dhe pektorali do të fiksohet me anë të dy unazave të tij në unazat e efodit me një kordon ngjyrë vjollce, në mënyrë që pektorali të ndodhet mbi brezin e punuar artistikisht të efodit dhe të mos shkëputet dot prej këtij të fundit.

29. Kështu Aaroni do t'i çojë emrat e bijve të Izraelit të skalitur në pektoralin e gjykimit, mbi zemrën e tij, kur do të hyjë në shenjtërore, në kujtim të përjetshëm përpara Zotit.

30. Do të vësh mbi pektoralin e gjykimit Urimin dhe Thumimin; dhe do të jenë mbi zemrën e Aaronit kur të paraqitet përpara Zotit. Kështu Aaroni do të çojë gjykimin e bijve të Izraelit mbi zemrën e tij para Zotit, vazhdimisht.

31. Do të bësh edhe mantelin e efodit, krejt në ngjyrë vjollce.

32. Në mes të tij do të ketë një hapje për të kaluar kokën; rreth e qark kësaj hapjeje do të ketë një buzë prej stofi të punuar, si hapja e një parzmoreje, me qëllim që të mos shqyhet.

33. Rreth e qark kësaj buze të mantelit do të bësh disa shegë ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe rreth tyre, zile ari;

34. një zile ari dhe një shegë, një zile ari dhe një shegë, rreth e qark, mbi buzën e mantelit.

35. Aaroni do ta përdorë për të kryer shërbimin; dhe tingulli i saj do të dëgjohet kur të hyjë në vendin e shenjtë përpara Zotit dhe kur të dalë andej, me qëllim që ai të mos vdesë.

36. Do të bësh edhe një pllakë prej ari safi dhe mbi të do të gdhendësh, ashtu siç bëhet mbi një vulë, fjalët: SHENJTËRI ZOTIT.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 28