Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 28:1-15 Bibla Shqip (ALBB)

1. "Pastaj afro pranë vetes sate Aaronin, tët vëlla, dhe bijtë e tij së bashku me të, nga gjiri i bijve të Izraelit, që të më shërbejnë mua si prift; e kam fjalën për Aaronin, Nadabin, Eleazarin dhe Ithamarin, bij të Aaronit.

2. Dhe do t'i bësh Aaronit, vëllait tënd, rroba të shenjta, për t'i dhënë nder e hijeshi.

3. Do të flasësh me të gjithë personat e aftë, që i kam mbushur me frymën e diturisë, dhe ata t'i bëjnë rrobat e Aaronit për ta shenjtëruar, me qëllim që të më shërbejnë mua si prift.

4. Dhe këto janë rrobat që do të bëjnë: një pektoral, një efod, një mantel, një tunikë e thurur me shtiza, një çallmë dhe një brez. Do të bëjnë, pra, rroba të shenjta për Aaronin, vëllanë tënd dhe për bijtë e tij, me qëllim që të më shërbejnë mua si prift;

5. ata do të përdorin ar dhe fill ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe li të hollë.

6. Do ta bësh efodin me ar dhe fill ngjyrë vjollce, të purpurt, të kuqe flakë si dhe me fill liri të hollë dhe të përdredhur, të punuar artistikisht.

7. Në dy skajet e tij do të ketë të lidhura dy supore, me qëllim që të mbahet si një e tërë.

8. Brezi i punuar artistikisht, që ndodhet mbi efodin, do të ketë po atë punë të efodit: prej ari dhe me fije ngjyrë vjollce, të purpurt, me flakë të kuqe dhe prej liri të hollë të përdredhur.

9. Pastaj do të marrësh dy gurë oniksi dhe do të gdhendësh mbi ta emrat e bijve të Izraelit:

10. gjashtë nga emrat e tyre mbi një gur dhe gjashtë emrat e tjerë mbi gurin tjetër, sipas radhës së tyre të lindjes.

11. Do të gdhendësh mbi këta gurë emrat e bijve të Izraelit ashtu siç bën prerësi i gurit në gdhendjen e një vule; do t'i futësh në rrathë ari.

12. Do t'i vësh të dy gurët mbi supet e efodit, si gurë kujtimore për bijtë e Izraelit; dhe Aaroni do t'i çojë emrat e tyre si një kujtim para Zotit mbi dy shtyllat e tij.

13. Do të bësh gjithashtu rrathë ari

14. dhe dy zinxhirë prej ari safi, të thurur si një litar, dhe do të vësh në rrathët zinxhirët e thurur në këtë mënyrë.

15. Do të bësh gjithashtu pektoralin e gjykimit, të punuar në mënyrë artistike; do ta bësh punën si për efodin: prej ari, me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, si dhe me li të hollë të përdredhur.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 28