Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 23:7-21 Bibla Shqip (ALBB)

7. Shmangu nga çdo pavërtetësi; mos vrit të pafajshmin dhe të drejtin, sepse unë nuk do ta fal të ligun.

8. Mos prano asnjë dhuratë, sepse dhurata verbon atë që sheh dhe prapëson fjalët e njerëzve të drejtë.

9. Mos shtyp të huajin, sepse ju e njihni shpirtin e të huajit, sepse keni qenë të huaj në vendin e Egjiptit.

10. Gjashtë vjet me radhë do të mbjellësh tokën tënde dhe do të korrësh frytet e saj;

11. por vitin e shtatë do ta lësh të pushojë dhe ajo do të mbetet djerr, me qëllim që ta gëzojnë të varfrit e popullit tënd; dhe gjëja e fshatit do të hajë atë që kanë për të lënë ata. Po ashtu do të veprosh me vreshtin tënd dhe ullinjtë e tu.

12. Gjashtë ditë do të bësh punën tënde por ditën e shtatë do të pushosh, me qëllim që kau yt dhe gomari yt të mund të pushojnë, dhe biri i shërbëtores sate dhe i huaji të mund ta marrin veten.

13. Do t'u kushtoni kujdes tërë gjërave që ju kam thënë dhe nuk do ta shqiptoni emrin e perëndive të tjerë; të mos dëgjohet të dalë nga goja juaj.

14. Tri herë në vit do të më kremtosh një festë.

15. Do të kremtosh festën e të ndormëve. Shtatë ditë do të hash bukë pa maja, siç të kam urdhëruar, në kohën e caktuar në muajin e abibit, sepse në atë muaj ti dole nga Egjipti; dhe askush nuk do të paraqitet para meje duarbosh.

16. Do të kremtosh edhe festën e korrjes, të prodhimit të hershëm të punës sate, të asaj që ke mbjellë në ara; si dhe festën e të vjelave, në fund të vitit, kur do të mbledhësh nga arat frytet e punës sate.

17. Tri herë në vit tërë meshkujt do të paraqiten para Perëndisë, Zotit.

18. Nuk do të ofrosh gjakun e flisë sime bashkë me bukën e mbrujtur; dhe yndyra e flive të festës sime nuk do të teprojë deri në mëngjes.

19. Do të çosh në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, të parat fruta të tokës. Nuk do ta ziesh kecin me qumështin e nënës së tij.

20. Ja, pra, unë po dërgoj një Engjëll para teje që të të ruajë gjatë rrugës, dhe të të futë në vendin që kam përgatitur.

21. Ki kujdes para tij dhe bindju zërit të tij; mos ngri krye kundër tij, sepse ai nuk do t'i falë shkeljet tuaja, sepse emri im gjendet në të.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 23