Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 23:21-29 Bibla Shqip (ALBB)

21. Ki kujdes para tij dhe bindju zërit të tij; mos ngri krye kundër tij, sepse ai nuk do t'i falë shkeljet tuaja, sepse emri im gjendet në të.

22. Por në qoftë se i bindesh plotësisht zërit të tij dhe bën të gjitha ato që do të them, unë do të jem armiku i armiqve të tu dhe kundërshtari i kundërshtarëve të tu;

23. sepse Engjëlli im do të shkojë para teje dhe do të të futë në vendin e amorenjve, të hitenjve, të perezenjve, të kanaanenjve, të hivenjve dhe të jebusenjve, dhe unë do t'i shfaros ata.

24. Nuk do përkulesh para perëndive të tyre, dhe nuk do t'u shërbesh. Nuk do të bësh atë që bëjnë ato; por do t'i shkatërrosh plotësisht dhe do të thyesh shtyllat e tyre.

25. Shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj, ai do të bekojë bukën tënde dhe ujin tënd; dhe unë do të largoj sëmundjen nga ti.

26. Në vendin tënd nuk do të ketë asnjë grua që të dështojë, asnjë grua shterpë. Unë do ta plotësoj numrin e ditëve të tua.

27. Unë do të dërgoj para teje tmerrin tim dhe do t'i jap dërrmën çdo populli pranë të cilit do të arrish, do të bëj që të gjithë armiqtë e tu të të kthejnë kurrizin.

28. Dhe do të dërgoj para teje grerëza, që do t'i përzënë hivenjtë, kanaanenjtë dhe hitenjtë para syve të tu.

29. Nuk do t'i përzë ata para teje brenda një viti, me qëllim që vendi të mos kthehet në një shkretëtirë dhe kafshët e fushave të mos shumëzohen kundër teje.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 23