Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 23:14-31 Bibla Shqip (ALBB)

14. Tri herë në vit do të më kremtosh një festë.

15. Do të kremtosh festën e të ndormëve. Shtatë ditë do të hash bukë pa maja, siç të kam urdhëruar, në kohën e caktuar në muajin e abibit, sepse në atë muaj ti dole nga Egjipti; dhe askush nuk do të paraqitet para meje duarbosh.

16. Do të kremtosh edhe festën e korrjes, të prodhimit të hershëm të punës sate, të asaj që ke mbjellë në ara; si dhe festën e të vjelave, në fund të vitit, kur do të mbledhësh nga arat frytet e punës sate.

17. Tri herë në vit tërë meshkujt do të paraqiten para Perëndisë, Zotit.

18. Nuk do të ofrosh gjakun e flisë sime bashkë me bukën e mbrujtur; dhe yndyra e flive të festës sime nuk do të teprojë deri në mëngjes.

19. Do të çosh në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, të parat fruta të tokës. Nuk do ta ziesh kecin me qumështin e nënës së tij.

20. Ja, pra, unë po dërgoj një Engjëll para teje që të të ruajë gjatë rrugës, dhe të të futë në vendin që kam përgatitur.

21. Ki kujdes para tij dhe bindju zërit të tij; mos ngri krye kundër tij, sepse ai nuk do t'i falë shkeljet tuaja, sepse emri im gjendet në të.

22. Por në qoftë se i bindesh plotësisht zërit të tij dhe bën të gjitha ato që do të them, unë do të jem armiku i armiqve të tu dhe kundërshtari i kundërshtarëve të tu;

23. sepse Engjëlli im do të shkojë para teje dhe do të të futë në vendin e amorenjve, të hitenjve, të perezenjve, të kanaanenjve, të hivenjve dhe të jebusenjve, dhe unë do t'i shfaros ata.

24. Nuk do përkulesh para perëndive të tyre, dhe nuk do t'u shërbesh. Nuk do të bësh atë që bëjnë ato; por do t'i shkatërrosh plotësisht dhe do të thyesh shtyllat e tyre.

25. Shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj, ai do të bekojë bukën tënde dhe ujin tënd; dhe unë do të largoj sëmundjen nga ti.

26. Në vendin tënd nuk do të ketë asnjë grua që të dështojë, asnjë grua shterpë. Unë do ta plotësoj numrin e ditëve të tua.

27. Unë do të dërgoj para teje tmerrin tim dhe do t'i jap dërrmën çdo populli pranë të cilit do të arrish, do të bëj që të gjithë armiqtë e tu të të kthejnë kurrizin.

28. Dhe do të dërgoj para teje grerëza, që do t'i përzënë hivenjtë, kanaanenjtë dhe hitenjtë para syve të tu.

29. Nuk do t'i përzë ata para teje brenda një viti, me qëllim që vendi të mos kthehet në një shkretëtirë dhe kafshët e fushave të mos shumëzohen kundër teje.

30. Do t'i përzë para teje pak e nga pak, në mënyrë që ti të rritesh në numër dhe të shtiesh në dorë vendin.

31. Dhe unë do t'i caktoj kufijtë e tu nga Deti i Kuq në detin e filistenjve dhe nga shkretëtira deri te Lumi; sepse unë do të lë në duart e tua banorët e vendit dhe ti do t'i dëbosh para syve të tu.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 23