3. e cila i ishte kthyer, dhe dy bijtë e saj, prej të cilëve njëri quhej Gershom, (sepse Moisiu kishte thënë: "Kam qenë mik në tokë të huaj")
4. dhe tjetri Eliezer (sepse ai kishte thënë: "Perëndia i atit tim ka qenë ndihmësi im dhe më ka shpëtuar nga shpata e Faraonit").
5. Jethro, pra, vjehrri i Moisiut, erdhi te Moisiu bashkë me bijtë e tij dhe bashkëshorten e tij, në shkretëtirë ku ishte vendosur ai, në malin e Perëndisë.
6. I kishte çuar fjalë Moisiut: "Unë, Jethro, vjehrri yt, po vij te ti bashkë me gruan tënde dhe dy bijtë e saj".
7. Kështu Moisiu doli për të takuar vjehrrin e tij, u përkul dhe e puthi; pyetën njëri-tjetrin për shëndetin e tyre, pastaj hynë në çadër.
8. Atëherë Moisiu i tregoi vjehrrit të tij të gjitha ato që Zoti u kishte bërë Faraonit dhe egjiptasve për shkak të Izraelit, të gjitha fatkeqësitë e pësuara gjatë udhëtimit, dhe si i kishte shpëtuar Zoti.
9. Dhe Jethro u gëzua për të gjitha të mirat që Zoti i kishte bërë Izraelit, duke e shpëtuar nga dora e egjiptasve.
10. Pastaj Jethro i tha: "Bekuar qoftë Zoti, që ju çliroi nga dora e egjiptasve dhe nga dora e Faraonit, dhe çliroi popullin nga zgjedha e egjiptasve!
11. Tani e di që Zoti është më i madhi nga tërë perënditë; po, ai ua vërtetoi atyre me sa krenari, kur vepruan me kryelartësi kundër Izraelit".
12. Pastaj Jethro, vjehrri i Moisiut, mori një holokaust dhe disa fli për t'ia ofruar Perëndisë; dhe Aaroni dhe tërë pleqtë e Izraelit erdhën të hanë me vjehrrin e Moisiut përpara Perëndisë.
13. Por ndodhi që, të nesërmen, Moisiu u ul për të gjykuar popullin; populli u mblodh rreth Moisiut që nga mëngjesi deri në mbrëmje.
14. Kur vjehrri i Moisiut pa të gjitha ato që ky bënte për popullin, tha: "Ç'është kjo që bën ti me popullin? Pse ulesh vetëm, dhe tërë populli të rri përqark nga mëngjesi deri në mbrëmje?".
15. Moisiu iu përgjigj vjehrrit të tij: "Sepse populli vjen tek unë për t'u këshilluar me Perëndinë.
16. Kur ata kanë ndonjë problem, vinë tek unë, dhe unë gjykoj njërin dhe tjetrin dhe u bëj të njohur kanunet e Perëndisë dhe ligjet e tij".
17. Por vjehrri i Moisiut i tha: "Ajo që bën ti nuk shkon mirë.
18. Do të rraskapitesh më në fund, ti dhe ky popull që është me ty, sepse detyra që ke marrë përsipër është shumë e vështirë. Nuk mund t'ia dalësh në krye vetëm.
19. Tani dëgjomë; unë do të të jap një këshillë dhe Perëndia qoftë me ty: përfaqësoje ti popullin përpara Perëndisë dhe paraqitja Perëndisë problemet e tyre.