Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 14:4-14 Bibla Shqip (ALBB)

4. Dhe unë do ta ngurtësoj zemrën e Faraonit, dhe ai do t'i ndjekë ata; por unë do të siguroj lavdi nga Faraoni dhe nga gjithë ushtria e tij, dhe egjiptasit do të mësojnë që unë jam Zoti". Dhe ata ashtu vepruan.

5. Pastaj iu njoftua mbretit të Egjiptit që populli kishte ikur; dhe zemra e Faraonit dhe e shërbëtorëve të tij ndryshoi kundrejt popullit, dhe ata thanë: "Ç'bëmë që e lamë Izraelin të ikë nga shërbimi ynë?".

6. Kështu Faraoni bëri që të përgatitej qerrja e tij dhe mori me vete popullin e tij.

7. Mori dhe gjashtëqind qerre të zgjedhura dhe tërë qerret e Egjiptit, me luftëtarë në secilin prej tyre.

8. Dhe Zoti e ngurtësoi zemrën e Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe ai i ndoqi bijtë e Izraelit, që dilnin plot trimëri.

9. Egjiptasit i ndoqën; dhe tërë kuajt, qerret e Faraonit, kalorësit e tij dhe ushtria e tij i arritën kur kishin fushuar pranë detit, në afërsi të Pi-Hahirothit, përballë Baal-Tsefonit.

10. Ndërsa Faraoni po afrohej, bijtë e Izraelit ngritën sytë; dhe ja, egjiptasit marshonin prapa tyre, prandaj patën shumë frikë; dhe bijtë e Izraelit i klithën Zotit,

11. dhe i thanë Moisiut: "Pse, nuk kishte varre në Egjipt, që na solle të vdesim në shkretëtirë? Pse e bëre këtë gjë me ne, duke na nxjerrë nga Egjipti?

12. A nuk ishte vallë kjo për të cilën të flisnim në Egjipt, duke të thënë: "Na lër rehat, kështu do të mund t'u shërbejmë egjiptasve"? Sepse për ne do të qe më mirë t'u shërbenim egjiptasve se sa të vdesim në shkretëtirë".

13. Por Moisiu i tha popullit: "Mos kini frikë, qëndroni dhe çlirimi do të vijë nga Zoti, i cili do ta bëjë sot për ju; sepse egjiptasit që shihni sot, nuk do t'i shihni më kurrë.

14. Zoti do të luftojë për ju, dhe ju do të rrini të qetë".

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 14