Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 14:21-31 Bibla Shqip (ALBB)

21. Atëherë Moisiu shtriu dorën e tij mbi detin; dhe Zoti bëri që të tërhiqet deti nga një erë e fortë nga lindja që fryu tërë atë natë dhe e shndërroi detin në tokë të thatë; dhe ujërat u ndanë.

22. Kështu bijtë e Izraelit hynë në mes të detit në të thatë; dhe ujërat formonin si një mur në të djathtë dhe të majtë të tyre.

23. Dhe egjiptasit i ndoqën; dhe tërë kuajt e Faraonit, qerret e tij dhe kalorësit e tij hynë pas tyre në mes të detit.

24. Aty nga agimi i mëngjesit ndodhi që Zoti i hodhi sytë në kampin e egjiptasve nga kolona e zjarrit dhe nga reja, dhe i dha dërrmën.

25. Ai bëri të shkëputen rrotat e qerreve të tyre dhe e bëri të vështirë përparimin e tyre. Kështu egjiptasit thanë: "T'ia mbathim para Izraelit, sepse Zoti lufton bashkë me ta kundër egjiptasve".

26. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën tënde mbi detin, me qëllim që ujërat e tij të kthehen mbi egjiptasit, mbi qerret dhe kalorësit e tyre".

27. Atëherë Moisiu shtriu dorën e tij mbi detin; kështu në të gdhirë, deti u kthye në vendin e tij të zakonshëm; egjiptasit ikën para tij; dhe Zoti i përlau egjiptasit në mes të detit.

28. Ujërat u kthyen dhe mbuluan qerret, kalorësit dhe tërë ushtrinë e Faraonit që kishin hyrë në det për të ndjekur izraelitët; dhe nuk shpëtoi asnjë prej tyre.

29. Por bijtë e Izraelit vazhduan të ecnin në tokë të thatë në mes të detit, dhe ujërat qenë për ta si një mur, në të djathtë të tyre dhe në të majtë të tyre.

30. Kështu, atë ditë, Zoti e shpëtoi Izraelin nga dora e egjiptasve, dhe Izraeli pa mbi bregun e detit egjiptasit e vdekur.

31. Izraeli pa fuqinë e madhe që Zoti kishte treguar kundër egjiptasve, dhe populli pati frikë nga Zoti dhe besoi te Zoti dhe te Moisiu shërbëtor i tij.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 14