Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 13:1-9 Bibla Shqip (ALBB)

1. Zoti i foli Moisiut duke i thënë:

2. "Më shenjtëro çdo të parëlindur, ai që çel barkun ndër bijtë e Izraelit, qofshin njerëz apo kafshë; më takon mua".

3. Pastaj Moisiu i tha popullit: "Mbajeni mend këtë ditë, gjatë së cilës dolët nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë; sepse Zoti ju nxori nga ky vend me dorë të fuqishme; nuk do të hahet bukë me maja.

4. Ju po dilni sot, në muajin e abibit.

5. Atëherë pra kur Zoti do të bëjë që të hyni në vendin e kanaanenjve, të hitenjve, të amorenjve, të hivenjve dhe të jebusenjve që u është betuar etërve të tu të të japë, vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti, do të kryesh këtë rit gjatë këtij muaji.

6. Shtatë ditë me radhë do të hash bukë të ndorme; dhe ditën e shtatë do të bëhet një festë për Zotin.

7. Do të hahet bukë e ndorme gjatë shtatë ditëve; dhe nuk do të duket bukë me maja tek ju, as do të duket maja pranë teje, brenda tërë kufijve të tu.

8. Atë ditë do t'ia shpjegosh këtë gjë birit tënd, duke i thënë: "Veprohet kështu për shkak të asaj që bëri Zoti për mua kur dola nga Egjipti".

9. Dhe do të jetë për ty si një shenjë mbi dorën tënde dhe si një kujtim ndër sytë e tu, me qëllim që ligji i Zotit të jetë në gojën tënde; sepse Zoti të bëri të dalësh nga Egjipti me dorë të fuqishme.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 13