Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 12:6-15 Bibla Shqip (ALBB)

6. Do ta ruani deri në ditën e katërmbëdhjetë të këtij muaji, dhe tërë asambleja e popullit të Izraelit do ta therë atë në të ngrysur.

7. Pastaj do të marrin nga ai gjak dhe do ta vënë mbi dy shtalkat dhe mbi arkitraun e shtëpive ku do ta hanë.

8. Do të hanë mishin e pjekur në zjarr, po atë natë, do ta hanë atë me bukë pa maja dhe me barishte të hidhura.

9. Nuk do të hani fare mish të gjallë apo të zier në ujë, por të pjekur në zjarr me kokën, këmbët dhe të brendshmet.

10. Dhe nuk do të lini asnjë mbetje deri në mëngjes; dhe ç'të mbetet deri në mëngjes, do ta digjni në zjarr.

11. Do ta hani në këtë mënyrë: ijëngjeshur, sandalembathur dhe me bastunin tuaj në dorë; do të hani me nxitim: se është Pashka e Zotit.

12. Atë natë unë do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit, qoftë njeri apo kafshë, dhe do t'i jap hakun gjithë perëndive të Egjiptit. Unë jam Zoti.

13. Dhe gjaku do të jetë për ju një shenjë mbi shtëpitë ku ndodheni; kur unë të shoh gjakun do të kaloj tutje dhe nuk do të ketë plagë mbi ju për t'ju zhdukur, kur të godas vendin e Egjiptit.

14. Ajo ditë do të jetë për ju një ditë për t'u mbajtur mend dhe ta kremtoni si festë kushtuar Zotit; do ta kremtoni nëpër kohëra si ligj të përjetshëm.

15. Për shtatë ditë do të hani bukë të ndorme. Ditën e parë do të kujdeseni të hiqni çdo maja nga shtëpitë tuaja, sepse kushdo që do të hajë bukë të mbrujtur, nga dita e parë deri në të shtatën, do të këputet nga Izraeli.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 12