Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 12:33-47 Bibla Shqip (ALBB)

33. Dhe egjiptasit e nxisnin popullin për të shpejtuar nisjen nga vendi, sepse thoshin: "Do të vdesim të gjithë".

34. Populli mori me vete brumin e bukës para se ai të vinte; i mbështolli magjet e tij me rroba trupi dhe i vuri mbi kurriz.

35. Dhe bijtë e Izraelit bënë ashtu siç i kishte thënë Moisiu dhe u kërkuan egjiptasve sende argjendi, sende ari dhe rroba;

36. dhe Zoti bëri që egjiptasit ta shikonin me sy të mirë popullin dhe t'i jepnin atë që kërkonte. Kështu i zhveshën egjiptasit.

37. Bijtë e Izraelit u nisën nga Ramsesi për në Sukoth, ishin rreth gjashtëqind mijë njerëz më këmbë, pa llogaritur fëmijët.

38. Dhe me ta iku gjithashtu një përzierje e madhe njerëzish, bashkë me kopetë e tyre të bagëtive të imta dhe të trasha, një numër i madh kafshësh.

39. Dhe ata e poqën brumin që kishin sjellë nga Egjipti, duke bërë kuleçë të ndormë; në fakt brumi nuk kishte maja, sepse ata u dëbuan nga Egjipti dhe nuk mundën të mënojnë, as të përgatisin rezerva për udhëtimin.

40. Koha që bijtë e Izraelit kaluan në Egjipt qe katërqind e tridhjetë vjet.

41. Në fund të katërqind e tridhjetë vjetëve, pikërisht atë ditë, ndodhi që të gjitha radhët e Zotit dolën nga vendi i Egjiptit.

42. Kjo është një natë për t'u kremtuar për nder të Zotit, sepse ai i nxori nga vendi i Egjiptit; kjo natë do të jetë një kremtim solemn ndaj Zotit, për të gjithë bijtë e Izraelit brez pas brezi.

43. Pastaj Zoti i tha Moisiut dhe Aaronit: "Ky është rregulli i Pashkëve: asnjë i huaj nuk do të hajë;

44. por çdo skllav, i blerë me para, mbasi të jetë rrethprerë, mund të hajë.

45. Të ardhurit dhe mercenarët nuk do të hanë.

46. Qengji do të hahet vetëm në një shtëpi; asnjë pjesë të mishit të tij nuk do ta nxirrni jashtë shtëpisë dhe nuk do të thyeni asnjë kockë të tij.

47. Tërë asambleja e Izraelit do ta kremtojë atë.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 12