Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 12:27-42 Bibla Shqip (ALBB)

27. ju do t'u përgjigjeni: "Kjo është flija e Pashkës së Zotit, që kaloi tej shtëpive të bijve të Izraelit në Egjipt, kur goditi egjiptasit dhe i fali shtëpitë tona"". Dhe populli u përkul dhe adhuroi.

28. Atëherë bijtë e Izraelit shkuan dhe vepruan ashtu; ata bënë ashtu si i kishte urdhëruar Zoti Moisiun dhe Aaronin.

29. Prandaj ndodhi që në mesnatë Zoti goditi tërë të parëlindurit në vendin e Egjiptit, që nga i parëlinduri i Faraonit që rrinte mbi fronin e tij, deri te i parëlinduri i të burgosurit që ishte në burg, si dhe çdo pjellë e parë e bagëtive.

30. Kështu Faraoni u ngrit natën, ai me gjithë shërbëtorët e tij dhe gjithë egjiptasit; dhe u dëgjua një klithmë e madhe në Egjipt, sepse nuk kishte shtëpi ku të mos kishte një të vdekur.

31. Atëherë ai thirri Moisiun dhe Aaronin natën dhe u tha: "Çohuni dhe largohuni nga mesi i popullit tim, ju dhe bijtë e Izraelit; dhe shkoni t'i shërbeni Zotit, siç e keni thënë.

32. Merrni me vete kopetë e bagëtive të imta dhe të trasha, siç keni thënë, dhe shkoni; dhe më bekoni edhe mua!".

33. Dhe egjiptasit e nxisnin popullin për të shpejtuar nisjen nga vendi, sepse thoshin: "Do të vdesim të gjithë".

34. Populli mori me vete brumin e bukës para se ai të vinte; i mbështolli magjet e tij me rroba trupi dhe i vuri mbi kurriz.

35. Dhe bijtë e Izraelit bënë ashtu siç i kishte thënë Moisiu dhe u kërkuan egjiptasve sende argjendi, sende ari dhe rroba;

36. dhe Zoti bëri që egjiptasit ta shikonin me sy të mirë popullin dhe t'i jepnin atë që kërkonte. Kështu i zhveshën egjiptasit.

37. Bijtë e Izraelit u nisën nga Ramsesi për në Sukoth, ishin rreth gjashtëqind mijë njerëz më këmbë, pa llogaritur fëmijët.

38. Dhe me ta iku gjithashtu një përzierje e madhe njerëzish, bashkë me kopetë e tyre të bagëtive të imta dhe të trasha, një numër i madh kafshësh.

39. Dhe ata e poqën brumin që kishin sjellë nga Egjipti, duke bërë kuleçë të ndormë; në fakt brumi nuk kishte maja, sepse ata u dëbuan nga Egjipti dhe nuk mundën të mënojnë, as të përgatisin rezerva për udhëtimin.

40. Koha që bijtë e Izraelit kaluan në Egjipt qe katërqind e tridhjetë vjet.

41. Në fund të katërqind e tridhjetë vjetëve, pikërisht atë ditë, ndodhi që të gjitha radhët e Zotit dolën nga vendi i Egjiptit.

42. Kjo është një natë për t'u kremtuar për nder të Zotit, sepse ai i nxori nga vendi i Egjiptit; kjo natë do të jetë një kremtim solemn ndaj Zotit, për të gjithë bijtë e Izraelit brez pas brezi.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 12